Brezovica tani nën menaxhimin e Kosovës

09:30 | 17 January 2022

Më 13 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i AKP-së emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpce, në përbërje të gjashtë anëtarëve. Kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së ishte vendosur më parë nën Administrim Direkt të AKP-së më 22 dhjetor 2020.

Më 14 janar 2022 Menaxhmenti i AKP-së mbajti një mbledhje përmbajtësore me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të NSH Inex Sharr Planina Brezovicë.

Në këtë mbledhje, është biseduar për mbarëvajtjen e punëve në Brezovicë dhe është biseduar gjerësisht për obligimet e Bordit të Brezovicës për t’i përmbushur detyrat e tyre ligjore për funksionimin e tërësishëm të Brezovicës në bazë të ligjeve të Kosovës, duke përfshirë: Instalimin e arkave fiskale; Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve te ATK si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës.

Po ashtu, në takim u pajtua që të fillohet sa më të shpejtë sezoni i skijimit, të mbahet bashkëpunimi i mirëfilltë dhe të vazhdohet me aktivitetet e ndërmarrjes, me ç‘rast i gjithë operimi i ndërmarrjes do të bëhet sipas infrastrukturës ligjore të Kosovës.

Të gjithë anëtarët e Bordit te Brezovicës siguruan për bashkëpunimin e tyre, punën e mirë dhe respektimin e udhëzimeve të AKP-së dhe dispozitave ligjore të ligjeve të Kosovës.

“Publiku njoftohet se skiliftat janë lëshuar në operim në mëngjes më 16 janar 2022 dhe se do të vazhdojë operimi i rregullt i Brezovicës. Publiku ftohet që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal”, thuhet në njoftim.

Komento: