Britania e Madhe edhe njëherë shpreh qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve

13:36 | 17 July 2019

Britanikët në Vetëvendosje e theksojnë qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve.

Në zyrën e Lëvizjes së Vetëvendosje sot ka qëndruar për vizitë një delegacion i shtetit britanik i kryesuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor i Foreing Office, Andrew Page. Britanikët në këtë takim me Kurtin kanë përsëritur edhe një herë qëndrimin e Britanisë së Madhe kundër idesë së korrigjimit të kufijve.

Page teksa ka folur për dialogun Prishtinë-Beograd ka thënë se shteti i tij është kundër nismës për ndryshim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Page ripërsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar e cila është kundër iniciativës për ndryshimin e kufijve”, citon komunikata e lëshuar nga Vetëvendosje

Ndërsa, Kurti kishte ritheksuar qëndrimin e partisë së tij për një dialog të hapur nga poshtë-lartë për zhvillim si mënyrë për integrim e përparim.

Në fillim të takimit Kurti e kishte njoftuar Page për zhvillimet e fundit në Kosovë me fokus të veçantë situatën socio-ekonomike, mungesën e zhvillimit ekonomik, nivelin e lartë të papunësisë sidomos tek gratë dhe të rinjtë, nevojën për reformim të sistemit të drejtësisë dhe nevojën shumë të madhe të lidhjes së sistemit edukativ me ekonominë.

Ndërkohë anën tjetër, Page kishte treguar interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i ndihmuar Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik përmes përkrahjes së ndërmarrësisë tek të rinjtë me interes të veçantë në fushën e shkencave kompjuterike dhe dixhitalizimit si dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që ata të mos largohen nga vendi.

“Po ashtu, Page njoftoi për dyfishimin e fondeve që ndanë Mbretëria e Bashkuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe dyfishimin e ekspertëve për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e krimit kibernetik”, thuhet në komunikatë.

Ndër çështjet tjera për të cilat u diskutua, njofton Vetëvendosja, ka qenë edhe Procesi i Berlinit, të arriturat dhe fushat ku duhet fokusuar në të ardhmen.

“Kurti sugjeroi se Procesi i Berlinit duhet të iniciojë një fond për zhvillim ekonomik të ngjashëm për Ballkanin siç ishte Plani i Marshallit për Evropën me fokus të veçantë në qytetet e ndara”, thuhet në kumtesë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca dhe deputetet Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli, ndërkohë nga Mbretëria e Bashkuar të kryesuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Foreign Office, Andrew Page, kanë qenë Susan Laffey, drejtuese e Sektorit të Analistëve, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, dhe Samuel Paice, Sekretar Politik në Ambasadë.

Komento: