Britania e Madhe u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë dialogun

21:07 | 06 June 2019

Ambasadori në largim i Britanisë së Madhe në Serbi, Denis Keefe tha se vendi tij e mbështet kthimin e Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi miq të Ballkanit, Kosova është shtet për ne, por ju themi se duhet të bisedoni dhe të gjeni zgjidhje përmes dialogut”, tha Keefe.

Duke folur për raportet ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Serbisë, ambasadori Keefe, i tha Radio Televizionit të Vojvodinës se të dyja vendet kanë raporte komplekse por gjithashtu ndajnë vlera të përbashkëta.

Ai vlerësoi se propozimi britanik i rezolutës për Srebrenicës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tre vjet më parë, nuk ishte i drejtuar kundër Serbisë duke shtuar se pajtimi në rajon kërkon “ndershmëri dhe diskutim të hapur, e jo relativizim”.

Diplomati britanik tha se anëtarësimi i Serbisë në BE është në interes të Beogradit dhe Londrës, pasi Britania e Madhe dëshiron një Ballkan Perëndimor “të qëndrueshëm dhe të sigurt”.

Lidhur me largimin e Britanisë nga BE-ja, Keefe tha se vendi është anëtar i NATO-s dhe se “ai do të mbetet partner i të gjitha vendeve të BE-së dhe Ballkanit”.

Komento: