Britania e Madhe ka reaguar për situatën që po mbizotëron në veriun e Kosovës.
Me anë të një deklarate të përbashkët Ambasada britanike në Prishtinë e Beograd pret që të hiqen barrikadat ilegale të vendosura në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
“Ne presim që të gjitha pengesat ilegale të hiqen dhe t’i jepet fund kërcënimeve, dhunës dhe frikësimit. Ne vlerësojmë dhe mbështesim plotësisht Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) në punën e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe kontributin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në mbështetjen e autoriteteve kosovare për sundimin e ligjit. Ne i dënojmë fuqishëm dhe i cilësojmë si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”.
Në reagimin e Ambasadave britanike thuhet se arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj institucioneve të sigurisë nuk mund të përdoret si arsyetim për vendosjen e barrikadave ilegale.
“Ky arrestim nuk është justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, as kërcënime dhe frikësim ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”.
Britania kërkon nga autoritetet e Serbisë që të përdorin ndikimin e tyre për qetësimin e situatës në veriun e Kosovës.
“U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me përmbajtje dhe që autoritetet e Serbisë të përdorin ndikimin e tyre për të arritur një de- eskalim të situatës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mjeti për të zgjidhur konfliktet dhe për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara”.