BSPK paralajmëron shpalljen e grevave të përgjithshme në Kosovë

19:59 | 17 Gusht 2022

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka paralajmëruar shpalljen e grevave të përgjithshme në Kosovë.

Në një porosi të shkurtër elektronike për mediat, BSPK ka ftuar mediat në një konferencë që do të mbahet nesër në orën 13:00, ku do të jepen informacione më të hollësishme.

“Ju ftojmë të merrni pjesë në Konferencën për shtyp të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës e cila fillon nesër, më 18 gusht 2022, në orën 13:00 dhe mbahet në Zyrat e BSPK-së. Konferenca për shtyp ndërlidhet me shpalljen e grevës së përgjithshme. Ju faleminderit!”, thuhet në shkresë.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka dhënë njoftimin se Projektligji për Pagat është proceduar në Qeveri e Kuvend për miratim, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë detaj për rritje pagash, një vendim i kahershëm që e presin punëtorët e sektorit publik, veçmas pas rritjes së inflacionit të përgjithshëm në vend.

“Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuara nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht. Projektligji patjetër që reflekton edhe situatën aktuale të vendit dhe praktikën gjyqësore duke ofruar siguri juridike për parimet bazë të aplikuara”, thuhet në njoftimin e Sveçlës.

Greva ka paralajmëruar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë nga 24 gushti, nëse kërkesat që presin në tavolinën e kryeministrit Albin Kurti, nuk plotësohen me fillimin e vitit të ri shkollor.

Komento: