BSPK proteston, kanë gjashtë kërkesa për Qeverinë e Kosovës.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës sot mbajti një protestë, ndërsa kanë paraqitur gjashtë kërkesa për Qeverinë e Kosovës, ndër të cilat ishin Ligji i Pagave, Ligji i Sigurimeve Shëndetësore.
Protesta ka nisur me marshin prej Bibliotekës Kombëtare, ndërsa janë ndaluar te Sheshi “Skënderbe”, para ndërtesës së Qeverisë, ndërkaq protestuesit kanë kërkuar që të lejohet edhe një tërheqje e parave nga Trusti Pensional.
Protestuesit brohorisin “Ngritja e pagave është domosdoshmëri”, “Zbatojeni ligjin”, “Arsim cilësor nuk mund të ketë derisa nuk ka paga të dinjitetshme”, “Miratojeni ligjin për pagat”, “Aprovojeni tërheqjen nga Trusti Pensional”, etj.
Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’i marrin parasysh kërkesat e sindikalistëve.
Ai tha se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre legjitime.
Ndërkaq, Rrahman Jasharaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit tha se Qeveria e Kosovës po heshtë, duke nënçmuar kështu kërkesat e punëtorëve të Kosovës dhe duke treguar mungesë të gatishmërisë për dialog.
“Këtu janë vetëm veprimtarët sindikalë. Në të ardhmen do të jetë e tërë anëtarësia. E dikujt nuk do t’i dalin hesapet si duhet, e ajo që nuk i dalin hesapet do të jetë Qeveria”, tha ai.
Jasharaj më tej shtoi se Qeveria e Kosovës nga 20 prilli arsimtarët do t’i shohë në grevë dhe fajtori i vetëm për këtë tha se është kryeministri Albin Kurti.
BSPK njofton se ekzekutivit do t’i parashtrohen publikisht kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës:
100 euro nga buxheti i shtetit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në përmbushjen e kërkesave të mëposhtme
Përcaktimi i Pagës Minimale
Miratimi i Ligjit për Paga
Nisja e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore
Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse
Amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti, pranimi i përvojës se punës për të gjithë të larguarit nga puna gjatë viteve të 90-ta, dhe të eliminohet kriteri prej 15 vite përvojë punë para vitit 1999.