Buffon arrin marrëveshje të re me Juventusin

11:53 | 17 April 2020

Mediumet italiane: Buffoni arrin marrëveshje me Juventusin.

Gazeta sportive italiane Tuttosport raporton se portieri veteran i Juventusit, Gianluigi Buffon, dhe presidenti Andrea Agnelli kanë arritur marrëveshje për ta vazhduar kontratën e futbollistin te bardhezinjtë deri në vitin 2021.

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, nuk dëshiron të pensionohet nga karriera e tij ende, përkundër që i ka mbushur 42 vjeç, pasi që dëshiron të kontribuojë edhe më shumë te skuadra e Juventusit, transmeton Gazeta Express.

Tuttosport raporton se tashmë portieri italian e ka siguruar një kontratë deri në vitin 2021, pasi që është pajtuar për këtë gjë me presidentin e Juventusit javën e kaluar, përmes një telefonate.

Buffoni ka pranuar ta nënshkruajë këtë kontratë të re me të njëjtat kushte si në kontratën aktuale, vetëm sa për ta zgjatur karrierën e tij edhe për një vit tjetër dhe të luajë deri në moshën 43-vjeçare.

Për momentin, kontrata nuk mund të zyrtarizohet dhe të nënshkruhet shkaku i koronavirusit, mirëpo Tuttosport pretendon se Buffon do ta nënshkruajë këtë kontratë sapo t’i jepet mundësia e parë.

Buffoni e ka synim ta zgjasë karrierën e tij sa më shumë që të ketë mundësi, dhe e njëjta gazetë italiane raporton se ai e ka qëllim të mbajë negociata të ngjashme me Agnellin dhe drejtorin sportiv, Fabio Paraticin, vitin e ardhshëm.

Megjithatë, italiani do të duhet të pranojë të jetë portieri i dytë në skuadër, pasi që edhe këtë sezon ka luajtur në vetëm shtatë ndeshje të Serisë A dhe 11 gjithsej në të gjitha garat. Ai e ka mbajtur portën e paprekur në tri prej këtyre ndeshjeve dhe i ka pranuar nëntë gola.

Komento: