Buja kërkon mbështetje për ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë

20:38 | 16 November 2024
buja-kerkon-mbeshtetje-per-ish-kreret-e-uck-se-te-cilet-po-gjykohen-ne-hage

Ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Nerodimes, Shukri Buja, ditë më parë ka marrë konfirmimin se Prokuroria ka mbyllur të gjitha hetimet nga tij. Në një intervistë për RTK-në, Buja ka theksuar se gjithmonë duhet të kundër-argumentohet pretendimi i prokurorisë. Ai tha se UÇK ka bërë luftë çlirimtare e të drejtë kundër një pushtuesi, derisa kërkoi mbështetje për ish-krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.

Me betejë për lirinë e popullit të Kosovës, e me betejë juridike 5 vjeçare e përshkruan jetën e vet ish-luftëtari e komandanti i UÇK-së Shukri Buja, i cili javën e kaluar triumfoi në Speciale, kur ranë poshtë të gjitha akuzat për të cilat dyshohej.

Teksa qëndron në vendlindjen e tij në Lipjan, Buja e quan këtë proces triumf të tërë luftës së UÇK-së.

“Lufta jonë juridike do të fitohet me fitoren e pafajësisë e krerëve të UÇK-së që gjinden atje. Çështja e prezencës në një sallë gjykimi bashkë me ta (isha mësuar që t’i përqafoj) nuk ishte e lehtë për mua. Ajo që më motivonte ishte se ne vet e kemi krijuar Gjykatën Speciale. Vota e parlamentarëve tanë e ka votuar, ndërkombëtarët janë duke e zhvilluar në bazë të ligjit që është krijuar këtu. Ne duhet të argumentojmë atë që po pretendon prokuroria se ne kemi bërë luftë çlirimtare dhe që lufta jonë ka qenë e drejtë kundër një pushtuesi”, tha Buja për RTK.

Në këtë proces Buja thotë se nuk e di qartë mbështetjen që vjen nga shteti i Kosovës, veçse konsideron se është një mbështetje shumë e vogël financiare.

“Jam ndier mirë që kam mundur me i dhënë shumë argumente Gjykatës se ne nuk kemi pasur një ushtri të standardeve të NATO-s. Jam mundu me argumentuar që duhet shumë kohë paqe për me organizuar një ushtri të rregullt, ndërsa ne gjatë luftës kemi pasur mungesë personeli profesional, kemi pasur mungesë logjistike e mjeteve financiare dhe në atë fazë jemi përballur drejtpërdrejtë me luftën”, theksoi ai.

Buja, pas pesë vitesh, thotë se festat e nëntorit i pret me emocion më të veçantë.

Në mungesë të provave, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbyllur hetimet kundër ish-komandantit të Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Bujës, ndërsa ky është rasti i parë i mbyllur për vepra penale për krime lufte të hetuara deri tash nga ZPS-ja.

Komento: