Buja tregon për masat disiplinore që janë marrë në UÇK,

11:38 | 06 November 2024
buja-tregon-per-masat-disiplinore-qe-jane-marre-ne-uck,

Në ditën e tretë të dëshmisë së tij, Shukri Buja tregoi në Hagë për masat disiplinore që kanë pasur mundësi që të merren në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ndaj ushtarëve që kanë thyer rregullat.

Ai tha se ka pasur në brigadë një vend (dhomë), ku kanë mundur që të mbaheshin ushtarët por që nuk ka qenë vendndalim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ka qenë një vend në oborrin e komandës së brigadës por që nuk ka qenë vendndalim. Ka qenë një dhomë ku kanë qëndruar dhe kanë pas të drejtën që të dalin në oborr apo të shkojnë në kuzhinë të punojnë. Kjo ka qenë rregullativa”, tha Buja kur u pyet se a ka pasur në ose rreth Zonës Operative të Noredimes ndonjë vend ku ndaloheshin ose mbaheshin ushtarët.

Buja tregoi për sjelljet që mund të pasonin që një ushtar të dërgohet në një vend të tillë.

“Me i rreziku ushtarët e tjerë me të shtëna në ndonjë objekt ose ka shkelë ndonjë rregull tjetër disiplinore është marrë masa. Kjo ka qenë kompetencë që e ka shqyrtu zyra ligjore në bazë të asaj rregullore dhe pastaj ia ka sjellë komandantit për nënshkrim”, tha Buja, duke shtuar se nuk i kujtohet një rast i veçantë.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet saktë se sa ditë më së shumti ka mundur të mbahet një person atje.

“Sa po më kujtohet, ka qenë deri në 20 ditë sipas asaj rregullore”, tha Buja tutje.

Më pas, prokurori James Pace i tha dëshmitarit që në një rast tjetër kishte thënë 25 ditë. Ndërsa, Buja tha se mund të jetë edhe kjo por që nuk e di saktë.

Bujës iu prezantua një rregullore që pretendohet se është përdorur nga ushtria. Megjithatë, për një pikë të saj dëshmitari tha se nuk ka mundur të zbatohet sepse nuk kanë pasur gradime në ushtri.

Kjo pikë thoshte se si masë disiplinore ishte edhe “shkarkim nga detyra e komandantit të skuadrës dhe heqja e gradës tetar dhe rreshter”.

“Kjo po më bën përshtypjen që kjo është një rregullore që mund të jetë e Shqipërisë”, tha Buja.

Ndërsa, pika për ndalim disiplinor, dëshmitari tha se përkon me masat që i kanë marrë. E i pyetur e a ka dërguar ndonjë civil apo ushtar të arrestuar ose ndaluar në Kleçkë, Buja tha se “nuk e di që ka pas të arrestum, por fjalë ka pas. Në popullatë ka pas shumë fjalë”.

Por, ndonëse përgjigja e tij nuk ishte për pyetjen që u bë, prokurori e ripërseriti atë që dëshmitari tregoi se në ushtri gjatë ’98-ës kanë pasur pika kontrolli.

“Jo si të arrestuar asnjëherë, por gjatë ’98-ës kemi pas pika ku i kemi ndaluar njerëzit. Në këto pika janë legjitimuar dhe janë shikuar se kush janë dhe pse po hyjnë në territorin që e ka kontrolluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në rast se kemi dyshuar, janë kthyer mbrapa ose është përcjellë me ushtarë deri në vendin ku ka pas synimin për me shku dhe kjo ka qenë për shkak të mosidentifikimit të pozicioneve tona të forcës ushtarake që kemi pas. Këto kanë qenë disa nga masat që janë ndërmarrë në atë kohë”, tha ai.

Ai tha se në një rast edhe vëllai i tij ishte legjitimuar kur kishte marrë rrugën për të shkuar në Negroc.

“Ka pas raste kur është ndalu edhe vëllai im i cili ka qenë anëtar i kryesisë së LDK-së dhe në kërkesën e tij për të shkuar në Negroc dhe ushtarët kanë dyshuar sepse në Negroc nuk kanë pas arsye. Ai ka thanë që do ta takojë zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin. Ata kanë dyshuar sepse Negroci nuk ka qenë ndonjë pikë në të cilën ata kanë besuar që mund të jetë zëdhënësi i UÇK-së dhe normalisht e kanë përcjellë me ushtarë deri në Negroc ku ma vonë e kemi kuptur që Negroci është vendlindja e Jakup Krasniqit”, tha Buja.

Dëshmitari u pyet gjithashtu se a i kujtohet që ka dhënë udhëzime që dikush të dërgohet në Kleçkë. Lidhur më këtë, ai tha se udhëzimet kanë ardhur nga komandantet e njësive.

“Në rast që unë kam dhënë ndonjë udhëzim kam thanë që ushtarët të kenë kujdes dhe të mos futen njerëz që mund të përcjellin informacione dhe të jenë të kujdesshëm se ku po shkojnë njerëzit që ata dyshojnë se kanë qëllime jo të mira. Realisht ushtarët e kanë përcjellë ashtu siç ka dyshuar dikush nga qytetarët. Kur kanë dyshuar e kanë përcjellë ushtarët”, tha ai.

Krejt në fillim të seancës, dëshmitarit iu prezantua një dokument që një ushtar po kërkohej që të raportonte në brigadë për shkak të sjelljes së tij.

Dje dëshmitari kishte thënë se sjellja e personit nuk ishte justifikuar për një ushtar dhe ai duhej të raportonte në brigadë për shkak të sjelljes së tij. Andaj, ai tha se me këtë çështje është marrë brigada që si masë ka qenë kufizimi i veprimit të tij ose marrja e armës.

“Ushtari që ka qenë i padisiplinuar, i është marrë arma dhe është dërguar për të punuar në kuzhinë”, tha Buja.

Buja tha se masa të tilla merreshin për shkak të ndonjë raportimi jo të saktë, të shtënave kur s’ka pasur luftime apo vepër tjetër e cila ka qenë shkelje e disiplinës së brendshme ushtarake. Tha se rregullat e brendshme disiplinore gjendeshin në Rregulloren e brendshme të UÇK-së të cilën e ka marrë nga zyra e Adem Demaçit.

“Sa më kujtohet ka qenë rregullore e përshtatur nga Ushtria e Shqipërisë për rregullat e brendshme të ushtrisë”, tha Buja.

Buja theksoi se këto rregullore kur i kanë marrë nuk i kujtohet koha e saktë, por që ishte diku dhjetor 1998- janar 1999.

“Ka qenë komandanti i Brigadës”, tha dëshmitari kur u pyet se kush kishte të drejtë që të merrte masa të tilla në brigadë.

Ndërsa, për nënzona, dëshmitari tha se është marrë vendimi nga komandanti i zonës ndërsa hartimi ka qenë nga drejtori i zyrës ligjore.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Gjithashtu, Buja është i përfaqësuar nga avokati Taulant Hodaj.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi/

Komento: