Buja: Veseli nuk më ka dhënë urdhra mua e as Reçicës kur ishte shef i ZKZ-së

11:38 | 07 November 2024
buja:-veseli-nuk-me-ka-dhene-urdhra-mua-e-as-recices-kur-ishte-shef-i-zkz-se

Shukri Buja gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se Kadri Veseli kur ishte në pozitën e shefit të Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ) në i ka dhënë urdhra atij ose personit përgjegjës për këtë sektor në Zonën Operative të Nerodimes.

“Jo s’me ka dhanë urdhër”, tha Buja duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Po ashtu, për Ilmi Reçica tha se ka qenë në kuadër të komandës së Nerodimes dhe s’ka pasur se si të merr urdhra nga Veseli.

“Jo se z. Reçica ka qenë në kuadër të Komandës së Zonës Operative të Noredimes”, tha Buja.

Përpara kësaj, Buja tha se Reçicën në këtë pozitë e kishte emëruar vetë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Përafërsisht në dhjetorë (është emëruar) emërimi ka qenë nga unë”, tha Buja.

Buja tha se qëndron fakti se ai e ka thirr në telefon Reçicën për ta njoftuar se është emëruar në këtë pozitë pasi që ai ishte jashtë vendit, konkretisht në Shqipëri.

“Jo se ka emëruar”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a është e vërtetë që Reçicën askush nga Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka emëruar në këtë pozitë.

Dëshmitari tha se Veseli nuk ka pas mundësi që ta emëroj Reçicën në këtë pozitë.

“S’ka pas mundësi Kadri Veseli me emëru sepse unë kam qenë komandant i zonës”.

Përpara Reçicës, Buja tha se askush nuk ka qenë në një pozitë të tillë për shkak se në periudhën tetor-nëntor ka filluar konsolidimi i komandës operative të Nerodimes.

Ai tha se Reçica e mori detyrën në janar të 99-ës dhe se kishte shumë pak burime për ta ushtruar atë detyrë dhe se për tre muaj vetëm ai ka qenë në atë sektor.

Dëshmitari u pyet se Reçica a ia raportonte atij informacionet që mblidhte gjatë ushtrimit të detyrës.

“Në një periudhë më të vonë, po. Mund të jetë pas shkurtit sepse në atë kohë është konsolidu më mirë sektori i Zbulim-Kundërzbulimit”, tha Buja.

Buja tha se shumica e raportimeve ishin gojarisht por që ka pas raste kur ka raportuar edhe me shkrim në rast që ka pas lëvizje të mëdha të forcave serbe.

Ai tha se Reçica i raportonte ndonjëherë Shefit të Shtabit dhe komandantit të zonës, ndërsa Shtabit të Përgjithshëm nuk i kanë përcjell raporte.

“Nuk ka qenë detyrë e tij me raportu në Shtab të Përgjithshëm”, tha Buja kur u pyet se a ka pasur rast që Reçica ka anashkaluar atë dhe personat përgjegjës për zonën dhe ka raportuar drejtpërdrejtë në Shtabin e Përgjithshëm.

Ndryshe, gjatë fillimit të seancës, trupi gjykues mori disa urdhra duke përfshirë pranimin dhe rrëzimin e disa kërkesave për pranueshmërinë e provave materiale.

Ndonëse dje kishte diskutime për besueshmërinë e dëshmitarit dhe konstatimet e turpeve të tjera gjykuese lidhur me deklaratat e mëhershme të tij, kryegjyqtari tha se përgjegjësia e vlerësimit i mbetet këtij Trupi Gjykues.

“Përgjegjësia për të vlerësuar besueshmërinë e dëshmitarit dhe mbeshtetshmerinë e dëshmisë së tij është e Trupit gjykues dhe sa i takon mospërputhjeve të dëshmive të tij do ti bëjë Trupi Gjykues dhe asnjë trup tjetër gjykues. Sa i takon pjesëve përkatëse të aktgjykimit Limaj, i janë treguar dëshmitarit dhe ai i ka dhënë komentet përkatëse gjatë kundërpytejeve që mbrojtja i ka bërë këtij dëshmitari. Me teje trupi gjykues thekson që nuk është detyruar që të zbatoj konstatimet e Turpeve të tjera gjykuese të konstatuara më parë”, tha kryegjyqtari Charles Smith III.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Komento: