Bujar Bukoshi ka folur për mbajtjen në Hagë të ish-krerëve të UÇK’së.
Ish-kryeministri i Kosovës, në një intervistë për gazetarin Mero Baze tha se është banale se si ata po mbahen në burg prej dy vitesh, pa u ngritur ende aktakuzë.
Sipas tij, ata duhej të ishin të lirë në Kosovë, pasi thotë se askush prej liderëve kosovarë nuk i ka ikur drejtësisë.
“Por, mendoj se banaliteti i kësaj situate me liderët shqiptarë të Kosovës që mbahen në Hagë është ndoshta dhe më i keq. Ata mbahen brenda në burg prej dy vitesh, pa u ngritur ende akuza. Mund të ishin të lirë në Kosovë ndërkohë se askush prej liderëve të Kosovës nuk i ka ikur drejtësisë. Kosova është i vetmi vend në Ballkan, që nuk ka asnjë lider që i është fshehur drejtësisë ndërkombëtare dhe asaj vendore, siç ka pasur Kroacia, Bosnja dhe sidomos Serbia. Dhe në këtë aspekt ata mund ta prisnin në liri ngritjen e aktakuzës në gjykatë”, tha Bukoshi.
Tutje ai tha se arrestimi dhe mbajtja në Hagë për dy vite ngjanë me ngjan një përzierje e shëmtuar e burokracisë perëndimore, orekseve politike të atyre që ngritën një gjykatë bazuar në një raport fals dhe idiotik si ai i Dick Marty.
“Arrestimi dy vite më parë dhe mbajtja në Hagë, ngjan një përzierje e shëmtuar e burokracisë perëndimore, orekseve politike të atyre që ngritën një gjykatë bazuar në një raport fals dhe idiotik si ai i Dick Marty dhe më tej dhe disa thikave pas shpine (që dikush dikur i përmendi me ëndje ) nga politika e Kosovës. Është e qartë se garnitura politike dhe sidomos ajo diplomatike e Kosovës këto kohë u ka folur në vesh atë që kanë dashur të dëgjojnë drejtuesit Gjykatës speciale duke e paraqitur Hashim Thaçin dhe të tjerë si njerëz të rrezikshëm për të qëndruar të lirë në Kosovë”.