Buleshkaj: Rreth 11 mijë zyrtarë deklaruan pasurinë, 62 u gjobitën për vonesa dhe shtatë raste u dërguan në Prokurori

10:40 | 12 Korrik 2026
buleshkaj:-rreth-11-mije-zyrtare-deklaruan-pasurine,-62-u-gjobiten-per-vonesa-dhe-shtate-raste-u-derguan-ne-prokurori

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ku tha se procesi i deklarimit të pasurisë këtë vit është realizuar tërësisht përmes sistemit elektronik.

“Gjatë procesit të deklarimit të pasurisë për këtë vit ne kemi pranuar një numër rreth 11 mijë deklarime të pasurisë që ka qenë numër rekord në vitet e fundit, të gjitha këto deklarime janë pranuar përmes sistemit elektronik, sistemi elektronik na ka mundësuar edhe evidentimin e saktë të vonesave sepse kemi në formë elektronike e dimë me sekonda se kur janë dorëzuar deklarimet e pasurisë. Si fazë pasuese e deklarimit të pasurisë është edhe evidentimi i atyre që s’kanë deklaruar, pranimi i shpjegimeve të arsyes sepse disa mund të kenë pasur edhe arsye objektive që nuk e kanë kryer në kohë deklarimin e pasurisë, një nga to mund të jetë qëndrimi i tyre në spital në ato ditët e fundit që ka pamundësuar fizikisht deklarimin apo qëndrimi jashtë vendit në ndonjë hapësirë ku nuk ka pasur qasje në deklarimin e pasurisë. Kemi pasur shembull kur pjesëtarë të FSK-së kanë qenë në ushtrime ushtarake dhe pastaj u është pamundësuar qasja në sistemet elektronike për ta kryer këtë obligim. Të gjithë këta janë liruar nga përgjegjësia ligjore sepse objektivisht nuk kanë mundur ta kryejnë këtë obligim”, tha ai.

Buleshkaj bëri të ditur se për zyrtarët që kanë pasur mundësi ta përmbushin obligimin, por nuk e kanë bërë këtë, janë shqiptuar gjoba dhe masa disiplinore.

“Nga ata që e kanë pasur mundësinë objektivisht por kanë dështuar në kryerjen e këtij obligimi, ne kemi përgatitur një numër të madh të gjobave sepse numri më i madh i tyre është rregulluar me gjoba. I kemi 62 zyrtarë publikë të cilët jo vetëm gjatë procesit të deklarimit të rregullt po edhe në proceset e deklarimit të pasurisë me marrje të detyrës apo me përfundim deri në këtë moment, do të thotë nga 1 janari deri në këtë moment kanë pranuar gjobë për vonesë. Po ashtu i kemi edhe 19 nga ta të cilët kanë pranuar qortim jo publik apo publik për këtë vonesë. Qortimi publik është një masë më e lehtë e cila u jepet kryesisht zyrtarëve të cilët ne kemi pasur medyshje se a është, ka qenë me qëllim apo jo mosdeklarimi i pasurisë apo ka qenë vonesë disa minutshe apo disa sekondshe nga mesnata do të thotë deklarimi i tyre i pasurisë. Përveç këtyre, gjatë verifikimit të pasurisë i cili është përfunduar këtë vit, ne si agjenci jemi detyruar t’i dërgojmë si shtesë edhe 7 kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit për shkak të evidentimit të mospërputhjeve në deklarimin e pasurisë”, tha ai.

Sipas tij, gjobat variojnë në bazë të pagës së zyrtarit publik dhe shumica e tyre tashmë janë paguar.

“Gjobat që shqipton agjencia, variojnë nga paga që pranojnë zyrtarët. Është 30 përqind të pagës mujore të zyrtarëve, do të thotë nga baza e pagës, nga shuma neto e pagës jo nga shuma bruto e pagës. Këtu deri në 500 euro. Do të thotë shuma kryesisht ka variuar nga 250 euro deri në 300 euro gjobë. Në qoftë se këto gjoba ashtu që parasheh ligji për kundërvajtje janë shlyer brenda periudhës dyjavore janë shlyer vetëm gjysma e tyre sepse ashtu mundëson si lehtësim legjislacioni në Kosovë. Kemi një përgjigje të mirë me shumë se gjysma e gjobave tona tashmë janë shlyer dhe janë arkëtuar këto shuma. Ne besojmë që zyrtarët e tillë nuk do ta përsërisin këtë lëshim në vitet e ardhshme dhe do të kemi përgjigje edhe më të mirë në deklarimin e pasurisë”, tha ai.

Ai vlerësoi se niveli i deklarimit të pasurisë nga zyrtarët publikë është shumë i lartë.

“Ne mund të jemi të lumtur sepse është më pak se 1 përqind numri i atyre që nuk e kanë kryer obligimin në kohë, është më pak se, është rreth 0.5 përqind, është një përgjigje tepër e mirë, po besoj që në rajon po edhe në nivel evropian është përgjigje tepër e mirë, përgjigje më e mirë e zyrtarëve në kryerjen e obligimeve të tyre”, tha ai.

Buleshkaj tha se numri më i madh i zyrtarëve që janë vonuar me deklarimin e pasurisë vjen nga Policia e Kosovës.

“Zyrtarët të cilët janë vonuar në deklarimin e pasurisë janë të kategorive të ndryshme. Ka një numër pak më të madh të zyrtarëve që vijnë nga Policia e Kosovës, ka nga Doganat, nga ATK. Kemi zyrtarë komunalë sepse kemi pasur një transferim të pushteteve në këtë fillim viti, ku disa i kanë liruar pozitat disa të tjerë i kanë pranuar dhe si proces të largimit edhe të pranimit të detyrës disa nga ta janë vonuar në deklarimin e pasurisë dhe si të tillë ne kemi qenë të obliguar t’i shqiptojmë gjobë për vonesat e tilla. Nuk ka një numër shumë të madh ku mund të kishim thënë që gjysma janë të kësaj fushe, por ka pak më shumë nga Policia e Kosovës”, tha ai.

Drejtori i APK-së tha se bashkëpunimi me Prokurorinë është përmirësuar, por shtoi se agjencia vazhdon të jetë e pakënaqur me trajtimin e kallëzimeve penale.

“Bashkëpunimi i agjencisë me prokurorinë është në përmirësim të vazhdueshëm mund të themi. Kemi pasur sfida fillestare më herët pastaj jemi në proces të përmirësimit të vazhdueshëm në kuptim më të mirë të njëri-tjetrit. Agjencia vazhdon të jetë e pakënaqur me mënyrën se si trajtohen kallëzimet penale sepse ende kemi numër shumë të madh të tyre që hudhen nga prokuroria për shkak që arsyetimi i tyre është që gjatë zhvillimit të hetimeve nga ana e tyre nuk është arritur që të vërtetohet dashja direkte në kryerjen e asaj vepre penale. Për neve nuk ka nevojë për verifikim të kësaj dashje sepse vetë mosdeklarimi duke marrë parasysh se agjencia të paktën tre herë e ka njoftuar secilin prej tyre qoftë me email qoftë me SMS për këtë obligim. Do të thotë mosdeklarimi nuk është që është bërë pa dashje sepse kemi krijuar të gjitha kushtet që ata të informohen dhe ta kryejnë obligimin në kohë, kemi ofruar edhe shërbim deri në mesnatë për të gjithë ata që kanë qenë të interesuar ta kryejnë këtë obligim, por nga institucioni i prokurorisë ka ende një hudhje të një përqindjeje tepër të madhe të tyre për shkak të mosverifikimit të dashjes”, tha ai.

Komento: