Bulliqi: Shtatorja që zbulojmë sot më shumë se një vepër arti, është simbol i Rugovës për paqe

16:52 | 07 Shtator 2024
bulliqi:-shtatorja-qe-zbulojme-sot-me-shume-se-nje-veper-arti,-eshte-simbol-i-rugoves-per-paqe

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi u bë sebepi që në Parkun e Qytetit të kësaj komune, të zbulohet shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Bulliqi çmoi virtytet e veçanta të Rugovës sa udhëhoqi Kosovën, duke e drejtuar në rrugën e lirisë e pavarësisë.

“Sot është një ditë e veçantë për Podujevën, dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në këtë ditë, në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, një prej ngjarjeve më të ndritura të Kosovës, po nderojmë njërën prej figurave më të shquara të historisë sonë, presidentin, profesor, doktor Ibrahim Rugova duke zbuluar shtatoren e tij në qendër të qytetit tonë”, tha Bulliqi.

“Ky monument që tani do të qëndrojë në parkun e qytetit të Podujevës, është një përkujtim i përjetshëm, për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë”.

Tutje, kryetari i Podujevës, tha se Ibrahim Rugova kishte lidhje të fortë shpirtërore me Llapin, e që Llapi sot po ia kthen me respekt.

“Shtatorja që po zbulojmë sot është më shumë se një vepër arti, ajo është një simbol i përkushtimit të Rugovës për paqe, dialog dhe unitet”, tha Bulliqi.

“Rugova ishte i lidhur shpirtërisht me Llapin, e sot Llapi po ia kthen me respekt këtë lidhje shpirtërore”.

Komento: