Burri bashkë me prindërit dhe motrën rrahin brutalisht nusen në Fushë Kosovë, ajo i denoncon në Polici

21:23 | 04 February 2023

Jeta martesore e një çifti dhe harmonia e tyre shpesh herë trazohet si pasojë e dhunës. Më së shumti telashe lindin kur ata zgjedhin të jetojnë me familjen e burrit, të cilët në shumë raste dinë të kenë sjellje jo të mira me nuset e shtëpisë dhe të njëjtat i keqtrajtojnë në forma të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.

Me dhunë çnjerëzore është përballur së fundi një grua në Fushë Kosovë, e cila dyshohet se u rrah keq nga bashkëshorti dhe familja e tij.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku pas një konflikti mes viktimës dhe kunatës së saj e cila e kishte kapur për fyti, ka ndërhyrë edhe vjehrra e cila po ashtu dyshohet se e ka sulmuar fizikisht duke e kapur për flokësh.

Pas tollovisë së krijuar mes grave të familjes, kishte reaguar bashkëshorti i viktimës i cili dyshohet se e ka goditur me shuplakë dhe e ka tërhequr zvarrë deri në dhomën e gjumit 35-vjeçaren. Atje dyshohet se ka vazhduar dhuna nga i shoqi, i cili e ka rrahur brutalisht duke e goditur nëpër pjesë të ndryshme të trupit.

Pa u përzier në gjithë këtë akt të shëmtuar nuk ka mbetur as vjehrri, i cili pamëshirshëm ka goditur nusen e cila po përballej me dhunë nga e gjithë familja.

Pas gjithë ngjarjes së rëndë që ka ndodhur, viktima ka arritur që rastin ta denoncojë në Polici, ku para hetuesve policorë dhe në prezencë të zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar në shtëpinë e burrit.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë tentuar që të kontaktojnë me të dyshuarin, bashkëshortin e viktimës, mirëpo i njëjti nuk është lajmëruar.

Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarve në stacion policor për intervistim.

Kujtojmë se dhuna në familje mbetet një ndër damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare, ku vetëm gjatë vitit të shkuar janë raportuar mbi 2 mijë e 500 raste të dhunës, e që në të shumtën e rasteve viktima kanë qenë gratë. Po ashtu ndër vite një numër i madh i rasteve të dhunës në familje kanë përfunduar tragjikisht për gratë, të cilat janë vrarë nga persona të afërt të tyre.

Komento: