Jo rrallëherë fëmijët keqtrajtohen nga prindërit e tyre apo personat me të cilët këta të fundit vendosin të bashkëjetojnë.
Në raste të tilla shpesh përfshihen edhe njerku/njerka, që ushtrojnë autoritet mbi fëmijët e partnerëve të tyre, duke përdorur dhunë fizike e psikike ndaj tyre, në vend të kujdesit, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur mbrëmë në Kolovicë të Vjetër në Prishtinë, Policia ka nisur hetimet pas denoncimit të një burri. Ky i fundit e ka denoncuar ish bashkëshorten e tij për dhunë ndaj vajzës së tyre.
Sipas informacioneve të para, fëmija 8-vjeçar dyshohet se është sulmuar fizikisht nga nëna e saj, për çka i ka treguar babait. I shqetësuar përballë kësaj situate, babai i fëmijës ka kërkuar ndihmën e Policisë që të hetohet rasti.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin ndaj nënës së dyshuar si “Dhunë në familje” dhe “Keqtrajtim apo Braktisje e fëmijës”.