Burri nga Skënderaj kërkon nuse me shpallje në mes të rrugës, e telefonova dhe mora përgjigje të çuditshme

15:03 | 31 Janar 2023

Kam parë shpallje për shitje pronash, veturash, lëshim të objekteve, banesave me qera, por asnjëherë një të tillë ku kërohet “nafaka e jetës për nuse”.

Teksa po shëtisja nëpër qytet, gjeta një shpallje apo më mirë të themi, thirrje për ndihmë për të gjetur “fatin e jetës”, në rrugën “28 Nëntori”.

Fillimisht për mua ishte shokuese kjo mënyrë e kërkesës për njohje duke pasur parasysh ekzistencën e internetit dhe rrjeteve sociale, por përtej kësaj ishte shokuese sepse “fati i jetës” po kërkohej sikurse ndonjë “banesë”.

Por, në vend që të ngarkoja vetën me këto dilema vendosa të thërras në numrin e dhënë. Ta pyes se çka është puna? Qysh ka ardhë deri tek ky vendim që me kërku “fatin” përmes një letre, njoftimi të vendosur midis rruge? Edhe a po pret përnjëmend ta gjejë fatin e jetës kështu?

“I nderumë, unë jom i sinqert. Ata që unë e kom shkru, nuk jam t’u ba hajgare,” u shpreh fillimisht ai.

“Ka pasë të interesumë. Ka edhe njerëz që janë dyfytrësh, thirrin, bajnë provokime, sene, fjalë ngacmime, paragjykim.

Çka t’ka shty me marrë këtë iniciativë, e pyeta…
“Është mendimi im që po mendoj se ka shpirt mirë që të ndihmojnë”. Mirëpo, ky vendim duhet të ketë ardhur si pasojë e rrethanave të komplikuara private, të cilat mund t’ia kenë pamundësuar personit në fjalë të “gjejë nuse” duke përdorur metoda tjera më pak problematike.

Cila është storia prapa, çka e shtyu 29-vjeçarin nga Aqareva e Skënderajt – i cili nuk deshi të zbulojë identitetin – të kërkojë nuse në këtë mënyrë.

Epo, përgjigja e tij prapa këtyre pyetjeve, ishte interesante.

“Është diçka që… njerëzit po e nënçmojnë në ditë të sotit veten edhe po ua hupin vullnetin për martesë. Arsyeja është se unë du me iu tregu njerëzve pse e boni veten të përulun kur e dinë se ekzistojnë zgjidhjet. Ki zgjidhje, mënyra, nuk është si në kohët e vjetra.

“Për çka është letra, është mesazh. Po shkrunë ‘kërkoj nuse’, tash e interesumja kontakton. Ose baba i çikës ose i motrës thojnë a je i interesumë o vëlla se filani kish çikë, e tash interesi është i dy palëve”.

Pra ja ku e keni, njerëz. Një përrallë moderne në ndërtim e sipër, me protagonist një princ që kërkon princeshën përmes një shpallje në mes të rrugës.

Komento: