Buxheti i shtetit po dëmtohet nga të vdekurit, shteti paguan pensione për ta

12:10 | 25 Qershor 2019

Buxheti i shtetit duket se po dëmtohet edhe nga personat e vdekur.

Pavarësisht se ka muaj që kanë ndërruar jetë, nga institucionet vendore vazhdojnë të numërohen si të gjallë.

Ata nuk janë larguar as nga lista e përfituesve të pensioneve. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Shteti ka harxhuar rreth 150 mijë euro për ta.

Ndërkohë, që buxheti është dëmtuar rreth gjysmë milioni euro edhe nga të moshuarit që marrin dy pensione.

Veteranë mbi dhe, e veteranë në varre. Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe pas vdekjes po vazhdojnë ta “gëzojnë” statusin e veteranit.

Ndonëse kanë kaluar muaj prej se janë varrosur, disa prej tyre vazhdojnë që të llogariten si gjallë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Emrat e tyre vazhdojnë të figurojnë në listat e përfituesve të pensioneve.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, MPMS’ja ka paguar rreth 7 mijë euro për pensionet e rreth 40 veteranëve të vdekur.

Por, kjo nuk është kategoria e vetme për të cilat janë ndarë para edhe pas vdekjes.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka paguar pensione në vlerë prej 150 mijë euro për rreth 900 të vdekur.

Shumica e këtyre pensioneve ishin ndarë për përfitues të pensioneve bazë, kontributive, si kompensim për persona të verbër, pensione familjare e kategori të tjera.

Sipas Auditorit, arsyeja se pse të vdekurve kanë vazhduar tu ndahen pensionet është regjistrimi me vonesë i vdekjeve në Agjencinë e Regjistrimit Civil.

“Pagesa e pensioneve pas vdekjes së përfituesve, vlera e të cilave ishte 146,374€. Kjo kishte ndodhur për arsye se regjistrimi i vdekjeve në ARC ishte bërë me vonesë dhe për këto raste MPMS nuk ishte në dijeni”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përveç nga të vdekurit, buxheti i shtetit po dëmtohet për mijëra euro edhe nga përfituesit e më shumë se një pensioni. Vetëm gjatë 2018’ës për këto kategori janë shpenzuar mbi gjysmë milioni euro.

ZKA’ja ka gjetur se rastet më të shpeshta të përfituesve të më shumë se një pensioni i takojnë kategorisë së TMK’së dhe FSK’së.

“Përfitimi i më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, ku rastet më të shpeshta të këtyre përfituesve i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së të cilët përfitojnë edhe pensione tjera, vlera e të cilave ishte 565,829€”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në MPMS që të marrë informacione se pse kanë kryer pagesa të tilla, dhe nëse do të ndërmerret ndonjë masë për kthimin e këtyre mjeteve, por që deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë përgjigje.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte kryer pagesa të tilla edhe në vitet paraprake deri në muajin shtator 2018 kur edhe ishin ndërprerë ato.

“Megjithatë me vendim të Qeverisë NR.12/82 të dt. 28.12.2018 ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK-në dhe TMK-në deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale nga institucioni i ngarkuar me këtë kompetencë. Lidhur me këtë, MPMS deri në përfundim të auditimit për vitin 2018 nuk kishte arritur të siguroj interpretim të bazës ligjore për skemat pensionale në fjalë apo të përditësojë kornizën ligjore aktuale siç parashihet edhe me Strategjinë Sektoriale 2018-2022 e aprovuar nga Qeveria”, thekson Auditori.

Ky institucion vlerëson se pagesa e pensioneve pas vdekjes si dhe pagesat e pensioneve për personat të cilët janë përfitues nga më shumë se një skemë pensionale rrisin rrezikun e pagesave pa bazë ligjore.

ZKA’ja i rekomandon Ministrit Skënder Reçica që të inicioj menjëherë procedurat për harmonizimin e legjislacionit për skemat pensionale duke shfrytëzuar mekanizmat ligjor te organet përkatëse të cilat janë të ngarkuara me përgjegjësi për të bërë interpretime dhe vlerësime të pajtueshmërisë së dispozitave ligjore.

Komento: