Bytyqi: Mesimdhenesit e viteve te 90’ parandaluan zhberjen tone kulturore

15:20 | 22 July 2019

Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 90-ta, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, do të mund nga sot të aplikojnë për të përfituar nga Ligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999.

Kjo pasi që ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka nënshkruar udhëzimin administrativ i cili përcakton kushtet e aplikimit.

Ja postimi i plotë i ministrit Bytyqi:

Miq të dashur, po ndaj me ju një lajm të mirë që ka të bëjë me kategorinë e mësimdhënësve që parandaluan zhbërjen tonë kulturore. Personelit arsimor shqiptar, të cilët gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, mbajtën gjallë arsimin në Kosovë, nga sot po ju kthehet dinjiteti.

Jam shumë i lumtur që sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ për kushtet dhe kriteret e realizimit të së drejtës në kompensim shtesë për punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që punuan nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 98/99, si dhe Udhëzimin Administrativ për pronarët e shtëpive shkolla dhe objektet tjera të lëshuar për arsimin shqip gjatë viteve 1990/99.

Me hyrjen në fuqi të këtyre dy udhëzimeve, do të zbatohet Ligji për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ligj ky që është miratuar gjatë mandatin tim si ministër i Arsimit.

Punonjësit e arsimit dhe kryefamiljarët që lëshuan objektet për shtëpi-shkolla gjatë periudhës 1990-1999, do të mbeten përherë pjesë e historisë më të lavdishme të popullit shqiptar.

Komento: