Bytyqi: Së shpejti pritet hapja e kolegjit DMACC në Kosovë

19:45 | 07 Maj 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim presidentin e “Des Moiner Area Community Collage” (DMACC) të Ioëas, Robert Denson me bashkëpunëtorë, me të cilët ka biseduar rreth bashkëpunimit në arsim, e në veçanti në arsimin dhe aftësimin profesional.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ministri Bytyqi nëpërmjet një postimi në Facebook, ku edhe ka njoftuar për hapjen e Akademisë së Arsimit Profesional në Kosovë, e cila do të jetë degë e Kolegjit DMACC, përcjell ORAinfo.

Postimi i plotë:

Të dashur miq, sot prita në takim presidentin e “Des Moiner Area Community Collage” (DMACC) të Ioëas, z. Robert Denson me bashkëpunëtorë, me të cilët kam biseduar rreth bashkëpunimit në arsim, e në veçanti në arsimin dhe aftësimin profesional.

Gjatë këtij takimi biseduam më detajisht për projektin e hapjes së Akademisë së Arsimit Profesional në Kosovë, e cila do të jetë degë e Kolegjit DMACC. Po ashtu, diskutuam edhe për fushat e identifikuara për programet që do t’i ofrojë ky kolegj për të rinjtë tanë, programe për të cilat ka më së shumti nevojë tregu i punës në Kosovë.

Falënderova presidentin Denson për bashkëpunim dhe për krijimin e mundësive të hapjes së këtij kolegji në Kosovë dhe shpreha gatishmërinë time dhe të MAShT që të shtyjmë përpara procedurat e themelimit të këtij kolegji në Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës. /ORAinfo//

Komento: