
Kosova dhe Serbia kanë përfunduar edhe një rund bisedimesh, pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb. Lidhur me këtë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyqi, beson se do të gjendet një zgjidhje, edhe pse palët qëndrojnë shumë larg njëra tjetrës.
Në një linjë direkte në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Bytyqi shprehet i bindur se Serbia kërkon që nëpërmjet dinarit të shpalosë një lloj sovraniteti në Kosovë por ai thotë se kjo nuk do të kalojë, nuk do të pranohet as edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Ky takim përfundoi pa sukses, të dy palët ishin larg njëra tjetrës që paraqitën… por sot kryenegociatori Bislimi njoftoi se nuk u morën vesh për çështjen e dinarit. Mendoj dhe besoj që do të gjende një zgjidhje, qëndrimet qëndrojnë ende larg njëra tjetrës. Serbia kërkon që të vazhdojë përdorimi i dinarit jo se në këtë masë ajo mund të pretendojë të rregullojë jetën e serbëve në Kosovë por pretendon të dëshmojë që Kosova nuk është ende një shtet i pavarur’, u shpreh ai.
Sipas Bytyqit, emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka bërë dhe vazhdon të bëjë presione sidomos mbi Kosovën. Kjo siç thotë profesori, me qëllim që Kosova të lëshojë rrugë.