Bytyqi takohet me ambasadorin amerikan, thellojnë bashkëpunimin për krijimin e një sistemi arsimor cilësor

14:56 | 02 Korrik 2019

Sot, Ministri i Arsimit, shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.

Ata biseduan për fokusin e tyre të përbashkët në krijimin e një sistemi arsimor cilësor dhe të pa ndikuar nga politika, përcjell ORAinfo.

Bytyqi falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme në punën që kjo ministri bën duke i hapur rrugë në krijimin e një sistemi arsimor funksional e profesional.

Njoftimin për këtë takim Shyqiri Bytyqi e dha në një postim në Facebook.

Postimi i plotë:

“Me shumë kënaqësi prita sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Philip S. Kosnett dhe drejtoreshën e misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Lisa Magno, me të cilët biseduam për sistemin arsimor në Kosovë.

Është fokusi ynë i përbashkët për të ndërtuar një sistem arsimor me cilësi, e të vyer për vendin, shoqërinë dhe ekonominë. Në takimin e sotëm u pa si nevojë që në themelet e procesit të ketë transparencë, profesionalizëm dhe ruajtje te sistemit që të mos bie në margjina politike.

Vëmendja e pareshtur amerikane në përkushtimin dhe gatishmërinë në krah të arsimit tonë, ndërtimit të një sistemi funksional e profesional, e shprehur edhe në takimin e sotëm, na bënë të shtojmë besimin se mund t’ia dalim.

Siç e shprehi edhe Ambasadori Kosnett, sistemi i arsimit i bazuar në merita dhe transparencë është i domosdoshëm për t’ua mundësuar të gjithë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e saj.

Falënderova shkëlqesinë e tij, ambasadorin Kosnett, për vizitën, për qëndrimin në krah të arsimit kosovar, për dyert e hapura të miqësisë e bashkëpunimit që na i shprehu në traditën e mbështetjes amerikane për të cilat dikasteri ynë ka shumë çfarë të konsultojë e mësojë. Duke qëndruar në krye të detyrës ne do të ia dalim ta bëjmë arsimin tonë një bazë suksesi për shoqërinë dhe ekonominë tonë”./ORAinfo/

Komento: