Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka uruar profesorët dhe arsimtarët në lidhje me 49 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës.
Sipas tij, liria që ne gëzojmë u gatua në këtë Universitet me Pranverën studentore.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë
Populli ynë pati një histori të vështirë, edhe sa i përket arsimimit. Themelimi i Universitetit të Prishtinës, 49 vjetorin e të cilit po e festojmë sot, ishte kthesa më e madhe për popullin tonë të mbetur këndej Drinit, për Kosovën me vise, pra për Shqipërinë nën pushtimin jugosllav.
Më 15 shkurt të vitit 1970, Kosova me vise u bë me institucionin e lartë të arsimit, me Universitetin e Prishtinës.
Të rinjtë e asaj kohe bashkë me arritjen e titujve profesionalë e shkencorë, u bënë edhe përmbajtja e vlerave arsimore të popullit tonë. Ata morën mbi supet e tyre misionin e madh.
Në periudhën rendëse të dekadës ’70-’80, Universiteti i Prishtinës pati një hov të madh të zhvillimit, plotësimi i kuadrit shkencor, numër rekord studentësh dhe rritje të kapaciteteve fizike.
Kjo dekadë e artë bëri detyrën karshi popullit të etur për dije dhe ngjizi bërthamën lirisjellëse, Pranveren studentore 1981.
Ishte po ky Universitet që i priu proceseve të rëndësishme të ndryshimeve poliktike të asaj kohe.
Lirisht mund të themi se Liria që ne gëzojmë u gatua në këtë Universitet me Pranveren studentore. Sa herë të kthejmë vëmendjen te lufta çlirimtare, do gjejmë ish studentët e këtyre podiumeve shkencore, e këtyre meseve akademike.
Ne sot po festojmë përvjetorin e 49 të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe afër e kemi përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë. Këto dy data të ndërlidhura me njëra-tjetrën na bëjnë krenarë. Por, ashtu sikur na bëjnë krenarë, edhe na ngarkojnë me përgjegjësi për cilësinë e rrugët kah po e çojmë arsimin e lartë në këtë vend.
Me punë, ne mund të bëhemi ana e mirë e arsimit, mund të ofrojmë programe cilësore, me të cilat do të përgatisim profesionistë për ekonominë tonë, për kërkimin shkencor në hapin e madh që po hedh dija dhe shkenca.
Hulumtimi shkencor duhet të bëhet e ardhmja e instituteve tona, publikimet tona shkencore të jenë të pakontestueshme dhe cilësore.
Ne po krijojmë përditë e më shumë mundësi, që të gjithë studentët dhe profesorët të mund të jenë të suksesshëm në punën e tyre dhe të zhvillohen profesionalisht.
Le të vazhdojmë punën që e filluan profesorët misionarë të këtij Universiteti, duke u ofruar studentëve programe cilësore dhe përgatitje profesionale, për një të ardhme më të sigurtë dhe për zhvillim të vendit. Urime!