Cakaj: FSK-ja meriton mirënjohjen më të veçantë për përkushtimin e pakrahasueshëm

19:34 | 01 December 2019

Cakaj thotë se mbështetja e Kosovës për Shqipërinë frymëzuese përtej asaj çka mund të shprehë gjuha.

Ministri i Jashtëm e Shqipërisë, Gent Cakaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se ndihma që Kosova i dha Shqipërisë pas tërmetit është frymëzuese.

Ai thotë se FSK-ja meriton mirënjohjen më të veçantë për përkushtimin e pakrahasueshëm dhe atdhedashurinë që ka treguar.

“Mes konsideratave më të larta e falënderimeve më të mëdha për të gjitha shtetet e organizatat që qëndruan afër Shqipërisë që prej orëve të para pas tërmetit, përtej çdo mëdyshje, Forca e Sigurisë së Kosovës meriton mirënjohjen më të veçantë për përkushtimin e pakrahasueshëm, humanizmin e lartë e atdhedashurinë më të thellë dhe profesionalizmin mbresëlënës. Shërbimi i tyre këto ditë në Shqipëri do të kujtohet gjithmonë me vlerësimin më lartë”, ka shkruar Cakaj.

Në fakt, shton ai, gjatë këtyre ditëve me vështirësi të shumta e me dhimbje të pafundme, e gjithë Kosova ka dhënë shembullin e një solidariteti të paparë njerëzor dhe ka dëshmuar absolutisht trajtën më të thellë të bashkëndjenjës kombëtare.

“Solidariteti e mbështetja e Kosovës kësaj radhe mbeten frymëzues përtej asaj çka mund ta shprehë rëndom gjuha”, ka shkruar Cakaj.

Komento: