Cakaj: Ftesa e Speciales për Veselin, vazhdim i padrejtësive sistematike ndaj UÇK-së – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Cakaj: Ftesa e Speciales për Veselin, vazhdim i padrejtësive sistematike ndaj UÇK-së

21:21 | 07 Nëntor 2019

Sot, Kadri Veseli ka marrë ftesën për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ministri shqiptar në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Evropë, Gent Cakaj, ka reaguar pas thirrjes që Kadri Veseli ka marrë nga Gjykata Speciale.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Evropë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se lufta e UÇK-së është historikisht e drejtë.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Cakaj, ka thënë se, thirrja për intervistim në Gjykatën Speciale për Kadri Veselin është vetëm vazhdimësi e padrejtësive sistematike dhe qasjes së njëanshme ndaj UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi, shkruan lajmi.net.

“Kadri Veseli me shokë sot janë shumë më shumë se luftëtarë të lirisë: ata janë dëshmitarë të pastërtisë së kauzës për çlirimin e Kosovës!”, ka shkruar ndër të tjera Cakaj.

Postimi i plotë i Cakajt pa ndërhyrje:

Thirrja për intervistim në Gjykatën Speciale në Hagë e Kadri Veselit është vetëm vazhdim i padrejtësive sistematike dhe qasjes së njëanshme ndaj UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi.

Lufta e UÇK-së ka qenë historikisht e drejtë dhe realisht, e vetmja përgjigje ndaj përpjekjeve gjenocidiale të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës në përgjithësi.

Serbia, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, është përgjegjëse për vrasjen e me tepër se 12.000 shqiptarëve, për deportimin masiv të më shumë se një milion njerëzve dhe miliona dollarë dëme të luftës. Këto krime nuk janë kryer në baza individuale por kanë qenë të sponsorizuara drejtëpërdrejtë nga aparati shtetëror i Serbisë. Serbia ka dështuar tërësisht në adresimin e të kaluarës së saj kriminale dhe politikanët e paramilitarët e asaj kohe janë sot në krye të shtetit të Serbisë. Adresimi i krimeve të Serbisë është një prej faktorëve thelbësorë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bota, ndërkaq, duhet të jetë shumë më e zëshme dhe më e qartë në kërkesën për llogaridhënie historike e vendosje të drejtësisë për bëmat monstruoze të Serbisë në Kosovë!

Drejtësia selektive nuk është drejtësi! E, aq më pak proceset e nisura mbi paragjykime dhe të ndërtuara mbi të pavërteta!

Kadri Veseli me shokë sot janë shumë më shumë se luftëtarë të lirisë: ata janë dëshmitarë të pastërtisë së kauzës për çlirimin e Kosovës!

KRENAR ME USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!