Cakaj thotë se për Gjykatë Speciale ka nevojë Serbia e jo Kosova

19:11 | 20 Dhjetor 2020

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punë e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka folur për Gjykatën Speciale.

Cakaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare.

Cakaj këto fjalë i ka thënë në një takim të zhvilluar sot me ambasadorin e Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci.

“Krimet e luftës në Kosovë janë hetuar e gjykuar nga UMNIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, drejtësia vendore. Gjykata Speciale, pra, jo vetëm merr përsipër të hetojë e gjykojë sërish një palë që ka mbyllur kusuret me drejtësinë ndërkombëtare për dy dekada radhazi, por edhe e bën këtë në mënyrë krejtësisht të njëanshme duke vënë në shënjestër vetëm strukturat e UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi. Kjo qasje, pra, s’ka fare lidhje as me të vërtetën, as me drejtësinë. Kaq. Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar e gjykuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre. Për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare! Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se historinë e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve, nuk mund ta shkruajë askush! Mbështetje e solidaritet i plotë i Shqipërisë me Kosovën në këto rrethana jo të lehta për krejt kombin shqiptar”, ka shkruar Cakaj në Facebook.

Komento: