Cakolli: AAK mbetet me 7 mandate, mandati i fundit vendoset mes PDK-së dhe LDK-së

07:35 | 17 Qershor 2026
cakolli:-aak-mbetet-me-7-mandate,-mandati-i-fundit-vendoset-mes-pdk-se-dhe-ldk-se

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka deklaruar se sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e edhe disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje me shumë gjasë do t’i ketë 53 mandate. Ky sipas tij, do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik.

Ajo që sipas tij mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat.

“Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të”.

Pra, sipas Cakollit, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit.

“Kjo nënkupton se mandati i fundit do të mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës – dhe kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në. Në anën tjetër, AAK pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse”.

“Me dinamikën e shtuar të punës në QNR, numërimi i votave me postë do të përmbyllet më së largu nesër paraditë, derisa votat me kusht deri nesër në mesnatë. Pastaj, në varësi të përqindjes së vendvotimeve (deri në 10% maksimum) që do të rinumërohen me vendim të KQZ-së, i tërë procesi i numërimit do të duhej të përmbyllej në fund të kësaj jave”, ka shkruar Cakolli.

Komento: