Cakolli: As Kushtetuesja s’e zgjidhë këtë ngërç, arritja e një marrëveshjeje politike, përgjegjësi kryesore e LVV-së

11:56 | 25 Qershor 2025
Cakolli: As Kushtetuesja s’e zgjidhë këtë ngërç, arritja e një marrëveshjeje politike, përgjegjësi kryesore e LVV-së

Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha në emër të përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile që u mblodhën sot për të protestuar te Kuvendi, se “as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidhë këtë ngërç”.

Ai tha se problemi kryesor është “mungesa e vullnetit politik” për gjetjen e një marrëveshjeje, për të cilën tha se partia e parë e ka përgjegjësinë kryesore.

“Qëndrimi jonë si organizata të shoqërisë civile është se as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta zgjidhë këtë ngërç, për shkak se problemi kryesor në situatën e tanishme është mugesa e vullnetit politik, e jo i mekanizmave proceduralë e ligjorë. Dhe edhe po të ketë vendim të Gjykatës Kushtetuese, prapëseprapë duhet që deputetët të tregojnë vullnet politik”.

Cakolli tha se situata bllokuese në Kuvend “i ka kaluar të gjithë kufijtë e normales”.

“Është bërë ‘boll’, siç po thonë edhe disa prej pankartave tona. Të vetmëve që nuk po u bëhet vonë e nuk po u bëhet vonë e nuk u është bërë ‘boll’ duket se janë deputetët e Kuvendit, të cilët me një papërgjegjësi të plotë janë duke e trajtuar situatën aktuale si diçka të zakonshme, ndonëse situata nuk është e tillë”, tha Cakolli.

Ai tha se “tashmë Kuvendi është shndërruar në një cirk të demokracisë”.

Puna e deputetëve deri tash, ai tha se “mezi i arrin dy orë të plota pune”, ndonëse po paguhen.

“Prandaj, ne si organizata të shoqërisë civile besojmë se është koha e fundit që deputetët t’i thërrasin arsyes dhe të njëjtit të arrijnë që të kenë një marrëveshje politike – e cila normalisht është përgjegjësi kryesore e partisë fituese të zgjedhjeve, e cila ka barrën më të madhe të përgjegjësisë – në nëmyrë që kjo krizë të marrë fund”, tha Cakolli.

Komento: