Cakolli i KDI-së: Këto janë katër datat kur presidentja mund t’i caktojë zgjedhjet e reja të rregullta

15:04 | 27 Korrik 2024
cakolli-i-kdi-se:-keto-jane-kater-datat-kur-presidentja-mund-t’i-caktoje-zgjedhjet-e-reja-te-rregullta

Eugen Cakolli nga KDI ka shkruar lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të reja nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit ka ftuar partitë politike për konsultim lidhur me këtë çështje.

Cakolli ka thënë se datat e zgjedhjeve që presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin që e ka ftuar të hënën, janë 26 janari dhe 2,9 dhe 16 shkurti.

Ai thotë se për të caktuar datën e zgjedhjeve të rregullta, presidentja Osmani ka kohë të marrë vendim deri në mesin e muajit nëntor 2024.

“Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen në periudhën mes fundit të janarit dhe mesit të muajit shkurt të vitit 2025. Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së hënës, janë 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti. Presidentja ka kohë nga e hëna e më së voni deri në mes të nëntorit, për t’a caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, ka shkruar Cakolli, raporton Express.

Tutje Cakolli ka thënë se mund të ketë edhe datë tjetër të zgjedhjeve në rast të organizimit të tyre në mënyrë të jashtëzakonshme.

“Data tjera më të afërta të zgjedhjeve mund të ketë vetëm në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme – përmes shpërndarjes së Kuvendit (me 2/3 e votave) apo rënies së qeverisë (përmes mocioneve apo dorëheqjes së KM).”, ka shkruar Cakolli.

Komento: