Cakolli: KQZ s’mund të flasë për integritet të zgjedhjeve pa e ditur se sa fletëvotime janë prekur nga gabimi i kompanisë sllovene

15:56 | 11 Nëntor 2025
Cakolli: KQZ s’mund të flasë për integritet të zgjedhjeve pa e ditur se sa fletëvotime janë prekur nga gabimi i kompanisë sllovene

Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar lidhur me gjithë atë që po ndodhur rreth dyshimeve për parregullsi në Mitrovicë të Jugut dhe arsyetimin e kompanisë sllovene për fletëvotimet dhe shpërndarjen e tij nga KQZ.

Cakolli ka thënë se secili fletëvotim të cilit nuk i përputhet kodi i vendvotimit duhet të shpallet i pavlefshëm. Përveç kësaj, Cakolli ka thënë se duhet të dihet saktë se sa fletëvotime të tilla janë, sa qendra votimi janë prekur dhe se a ka pasur ndikim në rezultat një gjë e tillë.

Pa një informatë të tillë ai thotë se askush, e në veçanti KQZ s’mund të flasë për integritet të zgjedhjeve.

Sqarimet e kompanisë sllovene dhe KQZ-së sipas Cakollit vetëm rrisin edhe më shumë habinë rreth rastit.

“Nëse as kompania nuk e di sa dengje dhe fletëvotime janë prekur, si mund të garantohet integriteti, kur ende rreth 75% e vendvotimeve të Mitrovicës nuk janë procesuar dhe fletëvotimet e dyshimta nuk janë verifikuar fizikisht?”, ka shkruar Cakolli.

Postimi i plotë:

Pikë së pari, çdo fletëvotim të cilit nuk i përputhet kodi i vendvotimit me atë ku është votuar, duhet të shpallet i pavlefshëm. Por edhe kjo, në vetvete, nuk garanton se problemi është adresuar në tërësi. Sepse thelbi nuk është vetëm gabimi teknik, por përmasat e tij – pra, sa fletëvotime janë prekur, në cilat vendvotime, dhe a ka pasur ndikim në rezultat. Pa këtë informacion, askush – e sidomos KQZ-ja – s’mund të flasë për integritet të paprekur të zgjedhjeve.

“Sqarimet” e CETIS-it dhe KQZ-së, e bëjnë rastin më të çuditshëm sa më shumë që i lexon. Sepse, mungesa e çfarëdo informate zyrtare nga KQZ-ja mbi shtrirjen reale të problemit, dhe bartja e tërë përgjegjësisë te kompania CETIS, që më shumë krijoi konfuzion sesa sqaroi me deklaratën e saj, është në vetvete tejet problematike.

Nëse as kompania nuk e di sa dengje dhe fletëvotime janë prekur, si mund të garantohet integriteti, kur ende rreth 75% e vendvotimeve të Mitrovicës nuk janë procesuar dhe fletëvotimet e dyshimta nuk janë verifikuar fizikisht?

Çdo deklaratë që e kufizon problemin tek “gabimi teknik” është, në këtë fazë, thjesht spekulim. E në një proces zgjedhor, s’ka më keq se kur një “gabim teknik” trajtohet si rrezik politik që duhet menaxhuar disi, në vend se si problem që duhet hetuar deri në fund.

Komento: