Calhanoglu: Pioli më ka transformuar, në fushë luaj edhe për të.
Milani po tregon një formë të jashtëzakonshme që prej rifillimit të kampionatit, teksa ka grumbulluar 20 pikë në 8 ndeshje dhe bashkë me Atalantën është skuadra me rezultatet më të mira.
Një ndër futbollistët që ka spikatur gjatë këtyre javëve është fantazisti turk Hakan Calhanoglu, i cili ka rilindur plotësisht dhe po merr për dore skuadrën drejt rezultateve të mira, ku më i fundit ishte dje ndaj Bolognës me shifrat 5-1.
Në përfundim të takimit Calhanoglu foli me superlativa për trajnerin Stefano Pioli, duke pranuar se italiani e ka ndihmuar shumë të gjejë formën më të mirë, ndërsa theksoi se në fushë jep maksimumin edhe për teknikun.
“Pioli më ka ndryshuar shumë si njeri dhe si futbollist, ndaj i jam mirënjohës. Më lë të luaj lirshëm, si të dua dhe bashkë flasim vazhdimisht edhe jashtë fushës së lojës. Mund të them se luaj edhe për trajnerin, pasi është shumë i rëndësishëm, si për mua ashtu edhe për të gjithë skuadrën,. Jemi të kënaqur që kemi një trajner si ai”, deklaroi fantazisti turk.