
Një ditë para ndeshjes së madhe finale të “play-offit” të Botërorit, Turqia ateroi në Prishtinë.
Me të arritur në aeroport, kombëtarja turke u nis për stadiumin “Fadil Vokrri”.
Aty, selektori i kombëtares turke, Vincenzo Montella dhe kapiteni turk, Hakan Çalhanoglu u paraqiten në konferencë për shtyp.
Kapiteni i kombëtares mysafire tha se në ndeshje si kjo, fiton zemra, jo cilësia.
“Secili ka këndvështrimin e vet. Unë nuk e nënvlerësoj asnjë kundërshtar. Me Interin u eliminuam nga Bodo Glimt. Qasja e presidentit [të Federatës Turke të Futbollit] është ndryshe. Na ka mbetur një ndeshje për Kupën e Botës. Nuk fiton cilësia, por ai që jep më shumë zemër. Ne e dimë këtë dhe jemi gati”, tha ai fillimisht.
Ai tha se e mban në mend ndeshjen e parë me Kosovën.
“E mbaj mend ndeshjen tonë të parë me Kosovën, edhe unë kam qenë aty. Janë shumë të fortë dhe kanë lojtarë të mirë. Duhet t’i vlerësosh. Edhe trajneri i tyre është i mirë. Vedat Muriqi e njoh. Ka edhe një lojtar që luan te Como. Di disa fjalë shqip, por më mirë të mos flas. Kam miq të afërt, më mirë të mos them asnjë fjalë (duke qeshur)”, shtoi ai.
Ylli i Interit i caktoi lojtarët më të rrezikshëm të kombëtares dardane.
“Kosova ka shumë lojtarë të rrezikshëm. Është Asllani. Vedati është shumë i mirë para portës dhe në goditjet standarde. Lojtarët që luajnë me Kenanin te Juventusi janë shumë të mirë. Të mos i përmend të gjithë një nga një, se do të ishte e padrejtë. Të gjithë janë të mirë dhe cilësorë”, e mbylli ai.