Dy degë në dy qytete majatë të mëdha, ajo e Ferizajt dhe Pejës, kanë ndarë rrugët me drejtuesit e partisë GUXO dhe kanë vendosur që të shuajnë aktivitetin e tyre përkrahës ndaj Donika Gërvallës dhe Faton Pecit për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Dega e Ferizajt që drejtohet nga Burim Meta ka shprehur pakënaqësitë me mënyrën se si po drejtohet partia, ndërkohë Dega e Pejës në reagimin e sotëm kanë treguar se shkak i mospërkrahjes për Gërvallen dhe Pecin është fakti që kjo degë s’është përfshirë me kandidatë për deputetë fare, ndonëse thonë se kanë pasur sukses në zgjedhjet e fundit.
Për këtë ka reaguar menjëherë bashkëdrejtuesja e GUXO, Donika Gërvalla-Schwarz, duke thënë se gjithmonë do të ketë persona të cilët aktivizohen vetëm në momentin kur s’përfshihen në listë për deputetë.
“Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, në listën e kandidatëve për deputetë, tek atëherë aktivizohen e zgjohen. Mllefin, jo rrallë, e shprehin duke personalizuar e privatizuar strukturat partiake dhe duke pretenduar se partia po shuhet pse ata nuk janë në lista zgjedhore”, ka shkruar Gërvalla.
Gërvalla në fund ka thënë se Lista GUXO ka 15 kandidatë në listën për deputetë në bashkëpunimin me Alternativën dhe LVV-në.
“Partia Guxo dhe e gjithë struktura e saj, dhe këtë e them me përgjegjësinë jo vetëm të bashkëkryetares së Partisë Guxo, por edhe si kryetare e Degës së Partisë Guxo në Pejë, sot është më e fortë, më e konsoliduar e më unike se kurrë. Me listën tonë prej 15 kandidatësh, në partneritet me VV dhe Alternativën, në zgjedhjet e 9 Shkurtit do të fitojmë fuqishëm e do të vazhdojmë punët e mira për Kosovën!”, ka përfunduar Gërvalla.