
Jamie Carragher e ka pranuar se Liverpooli bëri gabim të madh kur vendosi ta mbrojë Luis Suarezin, duke veshur bluza të veçanta për të, pasi sulmuesi uruguaian u akuzua për racizëm ndaj Patrice Evras të Manchester Unitedit.
Në tetor të vitit 2011, pas ndeshjes mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit në “Anfield”, ndaj Luis Suarezit u hap procedurë disiplinore pasi ai u akuzua se përdori gjuhë raciste ndaj Patrice Evras, transmeton Gazeta Express.
Liverpooli vendosi ta përkrahë yllin e skuadrës së vet në këtë rast, duke thënë se “klubi do të ishte plotësisht në mbështetje të sulmuesit pas këtyre akuzave”.
Pak kohë më vonë, para ndeshjes së Liverpoolit kundër Wiganit, lojtarët dhe trajneri Kenny Dalglish i Liverpoolit veshën bluza të veçanta në mbështetje të sulmuesit, veprim ky që u kritikua shumë në botën e futbollit.
Suarezi u dënua me pezullim prej tetë ndeshjes dhe u gjobit me 40 mijë funte për abuzim në baza racore të Evras dhe sulmues nuk pranoi t’ia japë dorën mbrojtësit francez para takimit të radhës mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit.
Carragher e pranoi se atij i vjen turp nga ky incident dhe i kërkoi falje Evras, përderisa shtoi se ai duhet ta kishte marrë rolin e liderit dhe t’i thoshte bashkëlojtarëve të tij të mos i vishnim ato bluza.

“Nuk ka asnjë dyshim që ne e morën vendimin e gabuar, kjo ishte e qartë”, tha Carragher për Sky Sports.
“Ne udhëtuam në ditën e ndeshjes, hëngrëm drekë dhe e patëm takimin e skuadrës. E mbaj mend se ose Kenny ose Steve Clarke na tha: “A jeni ende pro bluzave?” dhe kjo ishte hera e parë që dëgjova për ato bluza”.
“Nuk po them se nuk ishte pjesë e asaj që ndodhi sepse, i gjithë klubi, e morëm vendimin e gabuar dhe unë isha zëvendëskapiten në atë kohë. Nuk jam i sigurt se kush e planifikoi, ndoshta ishte nga lojtarët që ishte i afërt me Suarezin, nuk mendoj se Kenny pati gisht aty”.
“Ajo që do ta them është se tani e shikoj veten dhe them se nuk e pata kurajën si individ që të flas dhe të them se nuk do ta vishja atë bluzë. Nuk mendoj se të gjithë në Liverpool menduan se po e bënim gjënë e duhur”.
“Ashtu si në familjen tonë, edhe në klubet e futbollit – reagimi yt i parë, pavarësisht se çfarë bën dikush, është ta mbrosh atë person, madje edhe kur e di se ata kanë bërë diçka të gabuar. Kjo është një gjë e keqe”.
“Unë nuk po e arsyetoj atë që e bëmë me Suarezin, ishte gabim. Më vjen keq, gabuam rëndë”.
Suarez vendosi të largohet nga Liverpoolit në vitin 2014 për t’iu bashkuar Barcelonës, përderisa Evra e mbylli karrierën pasi luajti për Juventusin, Marseille dhe West Hami, pasi edhe ky u largua nga Premierliga në vitin 2014.