Casemiro është penduar për transferimin e tij te Manchester Unitedi

19:32 | 07 October 2022

Casemiro është penduar për transferimin e tij te Manchester United gjatë afatit kalimtar të verës së këtij viti.

Braziliani është paraqitur në 4 ndeshje këtë sezon në Premierligë dhe 3 në Ligën e Evropës, duke zhvilluar në total 298 minuta.

Shkaku i minutave, mesfushori me përvojë mendon se mund të ketë marrë vendimin e gabuar për t’iu bashkuar “Djajve të Kuq”.

Sipas “Todofichajes”, Casemiro tashmë u ka thënë miqve se është penduar për transferimin e tij në “Old Trafford”.

Tutje thuhet se ai do të mirëpriste një rikthim në Real Madrid nëse do të bëhej e mundur, diçka që nuk mendohet të jetë reale duke pasur parasysh tarifat e transferimit të përfshira.

Për më tepër, pretendohet se Casemiro do të ishte i hapur për një largim në formë huazimi gjatë afatit të janarit në mënyrë që të fitojë më shumë minuta.

30-vjeçari nënshkroi kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2026, teksa një largim kaq shpejt pas ardhjes së tij duket të jetë shumë i pamundur.

Megjithatë, një tjetër faktor kyç mund të varet edhe nga Cristiano Ronaldo, i cili është edhe një mik i afërt me Casemiron, të cilit mund t’i jepet leja të largohet nga Manchester Unitedi në janar.

Komento: