Casemiro suspendohet për tre ndeshje pas kartonit të kuq ndaj Crystal Palace

21:34 | 04 Shkurt 2023

Mesfushori Casemiro do të jetë i suspenduar për tre ndeshje pas kartonit të kuq që mori në fitoren ndaj Crystal Palace ditën e shtunë.

Lojtarët e Man United dhe Crystal Palace u përfshin në një përleshje pasi Jeffrey Schlupp bëri një ndërhyrje te Antony duke ia larguar topin.

Si Antony ashtu edhe Schlupp u ndëshkuan me karton të verdhë, por pas rishikimit të VAR-it u pa se Casemiro e kishte kapur për fyti mesfushorin e Palace, Will Hughes.

Pasi iu kërkua ta shikonte situatën, Marriner vendosi ta ndëshkojë direkt me karton të kuq brazilianin, duke e lënë Unitedin me 10 lojtarë në fushë 22 minuta pa përfunduar koha e rregullt.

Casemiro tashmë kishte munguar në një ndeshje pasi kishte marrë pesë karton të verdhë këtë edicion, por tani do të jetë i detyruar të shikojë nga shtëpia edhe tre ndeshje tjera.

Ndeshja e parë që Casemiro do ta humbë është kundër Leeds United në “Old Trafford”. Pastaj do të mungojë në ndeshjen e dytë mes këtyre dy skuadrave më 12 shkurt dhe atë ndaj Leicester Cityt si nikoqir më 19 shkurt.

Kështu, Casemiro do të jetë i gatshëm për finalen e Carabao Cup kundër Newcastle Unitedit më 26 shkurt.

Man United me fitoren e sotme u ngrit në pozitën e tretë në tabelë.

Komento: