Portieri legjendar spanjoll Iker Casillas është dakord që penalltia e Argjentinës kundër Kroacisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës nuk duhej akorduar.
Argjentina mposhti 3:0 Kroacinë të martën në mbrëmje. Por penalltia e akorduar nga Daniele Orsato, e cila hapi llogarinë e ndeshjes, ka nxitur reagime të shumta. Julian Alvarez e fitoi penalltinë, pas kontaktit që pati me portierin Livakoviq.
Eksperti i gjyqtarëve, Felipe Ramos Rizo, ka thënë se Livakoviqi e kishte këmbën e djathtë gjithmonë në tokë, ndërsa deri te kontakti ka ardhur për shkak të inercisë së lojës dhe dhënia e penalltisë ishte vendim i gabuar.
“Të dhëna të rëndësishme për të cilat nuk duhej arkorduar penallti: Këmba e djathtë e portierit është gjithmonë në tokë, kontakti është i pashmangshëm për shkak të inercisë së lojës, topit. Nuk ka asnjë lëvizje, kontakti është i pashmangshëm”, ka shkruar Rizo në Twitter.
Me këtë u pajtua Casillasi, që shkroi se është “totalisht dakord”.