Cassano kritikon ashpër Mourinhon

10:30 | 21 May 2023

Cassano ka sulmuar ashpër Mourinhon edhe pse Roma kaloi në finale: E turpshme dhe e pakuptueshme.

Antonio Cassano vazhdimisht e kritikon ashpër Jose Mourinhon dhe njëjtë ka bërë edhe pasi Roma kaloi në finalen e Ligës së Evropës.

Sipas ish yllit italian, ai nuk ka qenë kurrë një trajner i madh dhe se futbolli i tij të bën të vjellësh.

Ai ka analizuar ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Evropës në të cilën Roma luajti 0-0 si mysafir ndaj Bayer Leverkusenit dhe falë rezultatit të ndeshjes së parë, kur fituan 1-0, ata kaluan në finale.

Në ndeshjen e kthimit Bayer ka realizuar gjithsej 22 goditje drejt portës së italianëve, prej të cilave gjashtë në portën e duhur.

“Do të filloj duke thënë se jam i lumtur, e dua Romën, i dua ata njerëz. Por Roma nuk luajti në 98 minuta. Trajneri do të thotë se gjithçka është e veçantë, por ai është më me fat se sa është i fortë”.

“Dhe ja sa me fat është, kjo është mbresëlënëse. Nuk është mirë, por do të mbahet mend që vitin e kaluar ai fitoi Ligën e Konferencës, dhe tani është në finalen e Ligës së Evropës”.

“Unë duhet të flas për ndeshjen dhe të analizoj lojën. Është turp. Diçka e pakuptueshme. Por çfarë do të thotë ai? Ai do të thotë që është në finale, se ka fituar. Nuk më intereson. Jam i lumtur për Roma, por kjo është marrëzi”, ka thënë Cassano.

Komento: