CEFTA dhe Komuniteti i Transportit shënojnë vitin e parë të krijimit të Korridoreve të Gjelbra në vendkalimet ndërmjet anëtarëve të CEFTA-së dhe BE-së

11:32 | 13 July 2023

Korridoret e gjelbra ndërmjet CEFTA-së dhe Bashkimit Evropian (Greqisë), të krijuara me iniciativën e CEFTA-së dhe Komunitetit të Transportit, shënojnë vitin e parë të aplikimit. Kjo nismë, e mundësuar nga sistemi SEED+ për shkëmbimin elektronik të të dhënave, transformon bashkëpunimin doganor dhe përshpejton tregtinë ndërmjet CEFTA-së dhe BE-së.

Sistemi SEED+, i cili në tërësi financohet nga BE-ja, lehtëson shkëmbimin e sigurt dhe efikas të të dhënave ndërmjet administratave doganore, përmirëson analizën e rrezikut dhe ndjeshëm shkurton kohën e pritjes dhe kostot. Fleksibiliteti dhe përshtatshmëria e sistemit sigurojnë tregti pa të meta dhe redukton barrën administrative.

“Nisma e Korridoreve të Gjelbra demonstron përkushtimin e CEFTA-së dhe BE-së në promovimin e tregtisë dhe ndërtimin e lidhjeve më të ngushta ekonomike. Jo vetëm që ka dëshmuar efektivitetin e saj, por ka hedhur themelet për bashkëpunimin e avancuar në të ardhmen, e cila promovon një lidhje më të fortë midis CEFTA-së dhe BE-së. Me optimizim të proceseve doganore dhe duke siguruar menaxhim efikas të kufijve, nisma mbështet subjektet afariste për të zgjeruar tregjet e tyre me kosto më të ulëta”, deklaroi Daniela Gaçeviq, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Sekretariatit të CEFTA-së.

“Administrata doganore e Republikës së Maqedonisë së Veriut është fuqimisht e përkushtuar në lehtësimin e tregtisë në çdo aspekt, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e kompanive tregtare në tregun ndërkombëtar, njëkohësisht duke garantuar efikasitetin dhe sigurinë e menaxhimit të kufijve. Krijimi i Korridoreve të Gjelbra brenda CEFTA-së dhe shtrirja e kësaj nisme në vendet anëtare të BE-së, e cila filloi me inicimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave midis vendit tonë dhe Greqisë në korrik të vitit 2022, mbështet transparencën dhe parashikueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit, duke hedhur një themel të fortë për integrimin e ardhshëm të palëve të CEFTA-së me BE-në”, deklaroi Stefan Bogoev, drejtor i përgjithshëm i Administratës Doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Konsiderojmë se përfshirja jonë në nismën e Korridoreve të Gjelbra është e një rëndësie të madhe. Bashkëpunimi jonë me CEFTA-në dhe Komunitetin e Transportit dhe Administratën Doganore të Maqedonisë së Veriut ishte i dobishëm për të gjithë ne, duke pasur parasysh se ka ndikuar në shumë probleme të tregtisë ndërkufitare. SEED+ është një vegël me vlerë të shtuar për të përmirësuar lehtësimin e tregtisë njëkohësisht duke siguruar kontroll më efektiv”, deklaroi George J. Pitsilis, Guvernator i Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike të Greqisë.

“Viti i parë i aplikimit të Korridoreve të Gjelbra me BE-në paraqet një hap të rëndësishëm për lidhjen dhe transportin në rajon. Kjo nismë afron ekonomitë, thjeshton procedurat doganore dhe redukton kohën e pritjes. Suksesi i këtyre korridoreve nxjerr në pah rëndësinë e tyre në përmirësimin e lidhjes, lehtësimin e rrjedhës së tregtisë dhe fuqizimin e integrimit rajonal. Ne vazhdojmë të ndërtojmë mbi këtë arritje dhe presim me padurim përmirësimin e mëtejshëm të lidhjeve të transportit dhe fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike me partnerët tanë në BE”. deklaroi Matej Zakonjshek, Drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit.

Të dhënat e mbledhura gjatë vitit të parë të nismës me Greqinë do të shërbejnë si bazë për analizat e ardhshme. Korridoret e Gjelbra brenda CEFTA-së treguan se koha e pritjes në gjysmën e parë të vitit 2023 është shkurtuar me mesatarisht 10 minuta për kamion, duke rezultuar në një kursim total prej 5.459 ditësh krahasuar me të dhënat e vitit 2022.

Në korrik të vitit 2022 u nënshkrua Memorandumi për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet administratave doganore të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, ndërsa në shtator 2022 u nënshkruan memorandumet e mirëkuptimit ndërmjet administratave doganore të Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi dhe memorandumet e mirëkuptimit ndërmjet administratave doganore të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi. Bashkëpunimi i krijuar shërben si bazë për të gjithë aktivitetin e ardhshëm të transportit dhe tregtisë ndërmjet të gjitha Palëve të CEFTA-së dhe shteteve anëtare të BE-së.

Komento: