Bruksel, 20 qershor 2023 – Ekspertët nga Palët e CEFTA-s janë dakorduar për një sërë rregullash të reja që promovojnë lëvizshmërinë profesionale dhe lehtësojnë tregtinë: Vendimi për krijimin e sistemit të përgjithshëm të njohjes së kualifikimeve profesionale dhe Vendimi për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Inkurajimi i mobilitetit profesional
Duke kuptuar sfidat me të cilat përballen profesionistë si inxhinierët e ndërtimtarisë, kontabilistët dhe mësimdhënësit, të cilët përballen me kërkesa të shumta kualifikimi, procedura që kërkojnë kohë dhe kosto të shumta kur zgjerojnë bizneset e tyre drejt tregjeve të ndryshme të CEFTA-s, CEFTA ka siguruar pajtimin për kornizën e përbashkët të njohjes së kualifikimeve në përputhje me atë të BE-së. Personat që kanë marrë kualifikimet e tyre në CEFTA dhe u është ofruar qasja për të ushtruar profesionin e tyre, por që kërkojnë të ofrojnë shërbimet e tyre në tregje të tjera të CEFTA-s, do të përfitojnë nga këto rregulla. Gjithashtu, profesionistët që kanë marrë diplomën diku tjetër, por i kanë të njohura kualifikimet në një Palë të CEFTA-s, si dhe kanë të paktën tre vjet përvojë profesionale, do të mund të aplikojnë po ashtu për njohje, sipas këtyre rregullave, bashkë edhe me ekspertët nga palët që nuk e rregullojnë profesionin e tillë, si dhe që kanë së paku 1 vit përvojë.
Në dritën e kërkesave të ndryshme për kualifikim përgjatë vendeve të CEFTA-s, por edhe mungesës së standardeve të vendosura nga BE-ja, autoritetet përgjegjëse për njohjen e kualifikimeve prapë do të krahasojnë kriteret zyrtare me kualifikimet e siguruara, si dhe vetëm në rast të dallimeve esenciale, mund të vendosin masa kompensimi, si periudhat e adaptimit deri në tri vjet, ose provimet e aftësive. Për personat, profili profesional i të cilëve nuk përputhet me profilet e rregulluara, ata mund të kenë qasje të pjesshme në profesion.
Zbatimi i këtyre rregullave të përbashkëta do të fillojë nga inxhinierët dhe gradualisht të përfshijë profesione të tjera. Ky Vendim është komplementar ndaj Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Doktorët e Mjekësisë, Doktorët e Mjekësisë Dentare dhe Arkitektët, në kuadër të CEFTA-s. Së bashku, këto dy marrëveshje transpozojnë dy sisteme të nostrifikimit nga BE-ja, të rregulluara në Direktivën e BE-së për Kualifikimet Profesionale 2005/36/EC.
Promovimi i inovacionit dhe rritjes së mençur
Vendimi i dytë i miratuar në nivel ekspertësh, Vendimi mbi Aspektet tregtare të të trejtave të pronësisë intelektuale ofron një udhërrëfyes gjithëpërfshirës, të hartuar për të adresuar pengesat dhe sfidat me të cilat përballen kompanitë që operojnë në tregjet e CEFTA-s, siç janë procedurat e shtrenjta dhe të gjata për regjistrimin e të drejtave të pronës intelektuale, regjimet e ndryshme në të gjithë rajonin, mbrojtja joadekuate ligjore, etj. Me standardizimin e proceseve, me shkurtimin e kostos, me përforcimin e një kornize rajonale të të drejtave të PI-së, e edhe me rritjen e bashkëpunimit, Vendimi do të promovojë inovacionin në produkteve e shërbime, si dhe do të mundësojë trajtim të barabartë për bizneset në të gjithë rajonin, por edhe të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve nga produktet e falsifikuara dhe pirate, duke garantuar kështu shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Të drejtat e pronësisë intelektuale janë çelës për mbrojtjen e inovacioneve dhe konkurrencës, bazuar në zgjidhje të mençura e të reja për biznese dhe konsumatorë. Duke mundësuar bashkëpunim më të fuqishëm në këtë fushë, CEFTA kontribuon në ndërtimin e një mjedisi miqësor për rritjen e pionierëve lokalë të inovacionit.
Tregu rajonal për rritje rajonale
“Prioritet yni absolut është zbatimi i Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal. Por kjo nuk është vetëm shenjë për ta shënuar, këto janë mundësi shumë konkrete për njerëz dhe biznese konkrete. Nëse shfrytëzohen, këto krijojnë dobi të cilat do të ndjehen tek familjet, kompanitë dhe komunikimin midis njerëzve, por edhe në statistikat tona të eksportit dhe vlerësimet për investime të huaja”, tha Danijela Gacevic, U.D. Drejtuese e Sekretariatit të CEFTA-s.
Ajo theksoi se këto vendime presin ende miratimin nga Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s, pasuar me procedurën e nevojshme tek secila Palë nënshkruese, që nevojitet për zbatimin e mirëfilltë.