Ministria e Punëve të Jashtme të Çekisë është aktivizuar me disa cicërima në Twitter pas largimit të serbëve nga institucionet.
Kjo ministri iu bën thirrje serbëve që të kthehen në institucione, teksa Kosovës i bën thirrje ta themelojë Asociacionin, transmeton Klankosova.
“Jam shumë i shqetësuar për tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. I bëj thirrje të gjithë të përfshirëve që t’i kushtojnë vëmendje thirrjes që përmban Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë @JosepBorrellF në emër të BE-së”, thuhet në njërën cicërimë.
Gjithashtu, Çekia u bën thirrje të dyja vendeve që të përmbahen nga “çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim”.
“Presidenca Çeke u bën thirrje serbëve të Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës. U bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim. Duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në postin tjetër.