Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrullah Çeku, ka reaguar pasi Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë në Luginë.
Ai ka thënë se Serbia po e vazhdon lojën e ndytë.
Postimi i plotë:
Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë.
Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë.
Qeveria e Serbisë refuzoi hyrjen në Serbi vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit.
Qëllim i vizitës sonë ishte takimi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore.
Përkundër kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim e të jemi pranë qytetarëve të Preshevës, teksa Serbia vazhdon ta dëshmoj e ridëshmoj se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore.