Çelaj: Në PDK ua avancuan njerëzit që bartën çantat e shefave

12:09 | 24 Janar 2020

Lirak Çelaj i ashpër me bashkëpartiakët, thotë se në PDK ua avancuan njerëzit që bartën çantat e shefave.

Nënkryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka hedhur akuza sa i përket emërimeve dhe avancimeve në PDK.
Ai ka thënë se ka individë që janë avancuar në parti ose duke mbajtur çantat e shefave ose duke kritikuar partinë.

“Kadri Veseli është një njeri shumë i mirë që mbart mbi vete vlera shumë të mëdha dhe që ka kontribuar shumë për vendin që të jemi këtu ku jemi sot. Por për fat të keq ai ka afruar afër vetes disa njerëz që nuk i bartin ato vlera për aq sa po favorizohen. Shkelja e parimeve sjell individë të gabuar. Mendoj se brenda PDK-së dhe jashtë të gjithë e dinë se kujt i referohem, nuk e kam personale me askënd por e kam në aspektin parimor sepse mendoj që po shkelen parimet. Mund të tingëlloi idealist po mendoj se duhet të respektohen vlerat demokratike”, ka thënë Çelaj.

Ndër të tjera, ai thotë se në PDK u avancuan njerëzit që ua mbajtën çantat shefave.

“Të gjithë njerëzit që udhëheqin me PDK-në duhet të reflektojnë vullnetin e strukturës, pasi nuk mundet një njeri të bartë mbi supet e veta vendimet për të emëruar Kryesi pasi në Këshill Drejtuese nuk na është lënë as të debatohet dhe është bërë një votim formal në Këshill Drejtues kur është bërë Kryesia. Brenda Kryesisë ka njerëz shumë të mirë por ka edhe nga ata që janë avancuar duke bartë çantat e shefave ose duke kritiku partinë sepse është një trend kushdo që e ka kritiku partinë Demokratike është avancu”, ka thënë Çelaj.

Ndryshe, Çelaj edhe më herët ngriti zërin kundër partisë. Madje ai i shkruajti letër publike kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, ku i tërhoqi vërejtjen për procesin e brendshëm zgjedhor.

Komento: