Centët që nuk kthehen në arkat e marketeve, pagesat me POS mund të ndalin humbjet e qytetarëve

11:57 | 11 Nëntor 2026

Pagesat me POS mund të shmangin problemin e moskthimit të kusurit, ndërsa përdorimi i kartelave dhe pagesave elektronike në Kosovë po shënon rritje. BQK-ja thotë se pagesat digjitale mundësojnë pagesën e shumës së saktë, ndërsa Dhoma e Tregtisë e konsideron moskthimin e centëve shkelje të të drejtave të konsumatorëve.

Arben Krasniqi të mërkurën kishte dalë për të bërë blerjet e zakonshme në market. Në arkë, fatura e tij ishte 52 euro e 97 centë. Por, kur erdhi momenti i pagesës, ai pagoi 53 euro, ndërsa tre centët e mbetur nuk iu kthyen.

Për një shumë kaq të vogël, Arbeni thotë se nuk ia vlen të krijojë debat në market, por thekson se kjo praktikë nuk është e drejtë, sidomos kur përsëritet pothuajse çdo herë.

Raste të tilla nuk janë të panjohura as për qytetarët e tjerë. Edhe Alma Gashi tregon se shpeshherë përballet me situata kur nuk i kthehen një apo dy centë. Për të, zgjidhja më e mirë janë pagesat me kartelë bankare, pasi shuma e faturës paguhet saktësisht dhe nuk mbetet asnjë kusur për t’u kthyer.

Ndryshe mendon Bedri Ahmeti, i cili vazhdon të preferojë pagesat me para të gatshme. Ai thotë se pagesa cash i duket më e lehtë dhe më praktike për blerjet e përditshme, pavarësisht rasteve kur nuk i kthehet kusuri i plotë.

Por, ajo që për disa qytetarë mund të duket si humbje e parëndësishme prej një, dy apo tre centësh, në një numër të madh transaksionesh mund të shndërrohet në një shumë të konsiderueshme.

Moskthimi i kusurit në marketet dhe bizneset e tjera në Kosovë ngre pikëpyetje për respektimin e të drejtave të konsumatorëve dhe përgjegjësinë e operatorëve ekonomikë. Ndërkohë, zgjerimi i pagesave elektronike po shihet si një nga mënyrat për të shmangur këtë problem.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se pagesat me kartela bankare gjatë periudhës janar-shtator 2026 janë rritur për rreth 37 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ndërsa pagesat online kanë shënuar rritje prej rreth 32 për qind.

Por, sa po humbin realisht qytetarët nga centët që nuk u kthehen? A përbën kjo praktikë shkelje të të drejtave të konsumatorëve dhe a janë pagesat me POS zgjidhja më e mirë për ta shmangur atë?

Moskthimi i kusurit, përfitim i mundshëm për bizneset në dëm të konsumatorëve

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), Kushtrim Ahmeti për ORAinfo, thotë se moskthimi i kusurit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një, dy apo pesë centë, përbën shkelje të të drejtave të konsumatorëve, siç përcaktohet edhe në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Sipas tij, kjo praktikë është ende e zakonshme në disa sektorë të tregtisë, ndonëse në marketet e mëdha janë vërejtur disa përmirësime si rezultat i presionit publik.

Ahmeti thekson se moskthimi i vazhdueshëm i kusurit mund të krijojë përfitime financiare për operatorët ekonomikë.

“Nëse një shumë e vogël nuk i kthehet konsumatorit në një transaksion, kjo mund të duket e parëndësishme, por kur përsëritet qindra apo mijëra herë në ditë, në fund mund të bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme”, thotë ai.

Megjithatë, DHTIK-ja nuk ka një vlerësim të saktë se sa mund të jenë këto përfitime.

Edhe themeluesi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, e konsideron këtë dukuri shqetësuese dhe shkelje të të drejtave dhe dinjitetit të qytetarëve.

Ai u bën thirrje konsumatorëve që të kërkojnë kthimin e plotë të kusurit, pavarësisht vlerës së tij.

“Qytetarët konsumatorë duhet të insistojnë që t’u kthehet çdo cent”, thotë Kaçaniku për ORAinfo.

Sipas tij, pagesat me kartela do të ndihmonin në shmangien e këtij problemi, megjithëse jo të gjithë konsumatorët i preferojnë ato. Kaçaniku përmend edhe shqetësimet për sigurinë kibernetike dhe përvojat negative që disa qytetarë mund të kenë pasur me kartelat bankare.

Pagesat elektronike, zgjidhje për të mos humbur asnjë cent

Në Bankën Qendrore të Kosovës vlerësojnë se përdorimi më i gjerë i pagesave elektronike mund të kontribuojë në eliminimin e problematikave gjatë pagesave me para të gatshme.

“Pagesat digjitale mundësojnë transferimin e shumës së saktë të faturës, pavarësisht vlerës së saj, duke shmangur nevojën për kthimin fizik të monedhave dhe duke reduktuar rastet kur konsumatorët nuk marrin vlerën e plotë të mbetjes”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për ORAinfo.

Sipas këtij institucioni, infrastruktura e re e pagesave do të mundësojë edhe pagesa direkte nga llogaria në llogari, në kohë pothuajse reale dhe me kosto të ulët, duke rritur transparencën e transaksioneve.

Rritje e pagesave me kartela dhe zgjerim i rrjetit POS

Përkundër sfidave, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave po rritet.

Sipas raportit vjetor të Departamentit të Sistemeve të Pagesave të BQK-së, gjatë vitit 2025 në Kosovë ishin gjithsej 30 mijë e 259 terminale POS, krahasuar me 20 mijë e 882 në vitin 2024. Kjo paraqet rritje prej rreth 45 për qind brenda një viti.

Në të njëjtin vit, në Kosovë ishin aktive 1 milion e 546 mijë e 633 kartela debiti dhe 218 mijë e 232 kartela krediti.

Edhe shërbimet bankare elektronike kanë shënuar rritje. Numri i llogarive E-Banking arriti në 1 milion e 225 mijë e 962 në vitin 2025, nga 411 mijë e 346 sa ishin në vitin 2020.

Ndërsa trendi i rritjes ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026.

Në përgjigjen për ORAinfo, BQK-ja ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-shtator 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pagesat me kartela bankare janë rritur për rreth 37 për qind, ndërsa pagesat online për rreth 32 për qind.

Sipas BQK-së, kjo rritje reflekton shtimin e besimit të qytetarëve në shërbimet digjitale, zgjerimin e pranimit të pagesave elektronike nga bizneset dhe investimet në modernizimin e infrastrukturës financiare.

BQK-ja synon zgjerimin e pagesave elektronike edhe në bizneset e vogla

Përveç rritjes së përdorimit të kartelave, BQK-ja thotë se një nga prioritetet e saj është zgjerimi i pranimit të pagesave elektronike edhe në bizneset e vogla dhe mikro-bizneset.

Në kuadër të Strategjisë së BQK-së 2024-2028, një ndër objektivat kryesore është modernizimi i infrastrukturës së tregut financiar dhe nxitja e përdorimit të pagesave elektronike.

Një nga projektet kryesore është Sistemi i Pagesave të Shpejta, TIPS-K, i cili pritet të mundësojë pagesa të menjëhershme 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

Përmes këtij sistemi synohet të mundësohen edhe pagesat përmes telefonave mobilë, QR-kodeve dhe identifikuesve si numri i telefonit.

BQK-ja thekson se këto zgjidhje mund të ulin kostot e pranimit të pagesave dhe të lehtësojnë përfshirjen e bizneseve të vogla në ekonominë digjitale.

Megjithatë, bizneset aktualisht nuk kanë obligim të përgjithshëm ligjor për të ofruar pagesa me kartela apo forma të tjera elektronike.

Sipas BQK-së, vendimi për pajisje me POS mbetet në vlerësimin e vetë biznesit, përveç rasteve kur zbatohen kufizimet ligjore për pagesat në para të gatshme.

Bizneset kërkojnë tarifa më të ulëta për POS

Nga ana tjetër, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) e mbështet zgjerimin e pagesave elektronike, por vlerëson se ky proces duhet të shoqërohet me kushte të përballueshme për bizneset.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini për ORAinfo, thotë se tarifat bankare vazhdojnë të jenë një pengesë, veçanërisht për bizneset e vogla.

Sipas tij, obligimi për pajisje me POS duhet të shoqërohet me tarifa të ulëta, alternativa moderne dhe mbështetje financiare për bizneset e vogla.

Shahini vlerëson se moskthimi i kusurit cenon të drejtat e konsumatorëve dhe besimin në treg, ndërsa pagesat digjitale mund ta zvogëlojnë këtë problem.

Ai kërkon nga institucionet dhe bankat uljen e tarifave bankare, zhvillimin e alternativave më të lira dhe një plan gradual të digjitalizimit, në konsultim me bizneset.

Edhe DHTIK-ja ka kërkuar nga BQK-ja angazhim më të madh për furnizimin e tregut me monedha të imëta, pasi, sipas saj, bizneset në të kaluarën kanë raportuar vështirësi në furnizimin me këto monedha nga bankat komerciale.

MINTI nuk përgjigjet për gjobat dhe ankesat e konsumatorëve

Për të marrë një pasqyrë më të plotë rreth mbikëqyrjes së kësaj dukurie dhe masave që po ndërmerren për mbrojtjen e konsumatorëve, pyetje i janë drejtuar edhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINTI).

Ministria është pyetur se sa gjoba ka shqiptuar Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ndaj marketeve dhe bizneseve për moskthimin e kusurit të plotë, përfshirë monedhat prej një, dy dhe pesë centësh, si dhe sa ankesa kanë pranuar nga qytetarët për këtë problem gjatë vitit 2026.

Ministria është pyetur gjithashtu për planet konkrete që lidhin mbrojtjen e konsumatorëve me digjitalizimin e pagesave dhe ndikimin që zgjerimi i pagesave elektronike mund të ketë në zvogëlimin e ekonomisë informale në Kosovë.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij hulumtimi, MINTI nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.
Për rrjedhojë, mbetet e paqartë se sa raste të tilla janë evidentuar nga Inspektorati i Tregut, sa masa ndëshkuese janë ndërmarrë ndaj bizneseve dhe çfarë hapash konkretë po planifikohen për të parandaluar këtë praktikë.

Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se të dhënat lidhur me këto çështje sigurohen nga raportet e arkave fiskale. Valentina Bytyqi-Sefa, Udhëheqëse e Divizionit për Komunikim me Media në ATK ka theksuar për ORAinfo s0,e institucioni nuk ka kompetencë apo mundësi ligjore për trajtimin e mëtejshëm të rasteve kur shumat e mbetura nuk u kthehen konsumatorëve.

Nga ana tjetër, DHTIK-ja konsideron se përgjegjësia për respektimin e të drejtave të konsumatorëve bie para së gjithash mbi operatorët ekonomikë, ndërsa institucionet e inspektimit duhet të mbikëqyrin zbatimin e ligjit dhe të reagojnë në rastet e shkeljeve.

Sa mund të humbasë një qytetar nga centët e pakthyer?

Edhe pse nuk ka një statistikë zyrtare për humbjet e konsumatorëve nga moskthimi i centëve, ndikimi mund të kuptohet përmes përsëritjes së këtyre rasteve.

Për shembull, nëse një konsumatori nuk i kthehen dy centë në ditë, për një vit kjo shumë arrin në 7 euro e 30 centë. Nëse një situatë e tillë përsëritet te 1.000 konsumatorë çdo ditë, shuma e përgjithshme do të arrinte në 7.300 euro në vit.

Ky është vetëm një ilustrim matematikor dhe jo vlerësim i humbjeve reale në Kosovë.

Përderisa pagesat me POS mundësojnë shmangien e këtij problemi, respektimi i të drejtave të konsumatorëve dhe kthimi i plotë i kusurit mbeten përgjegjësi e bizneseve, pavarësisht mënyrës së pagesës.

Në fund, digjitalizimi mund të jetë një nga zgjidhjet për pagesa më të sakta, transparente dhe praktike, por mbrojtja e konsumatorit kërkon edhe mbikëqyrje më të madhe dhe respektim të rregullave nga të gjithë operatorët ekonomikë. /ORAinfo/

Komento: