Për grumbullimin e bimëve mjekësore, aromatike dhe pemët e imëta janë certifikuar edhe 25 kompani, të cilat operojnë në gjithë vendin.
Certifikimi i këtyre kompanive me “Certifikata organike”, është bërë sot nga Shoqata “Organika” dhe është mbështetur nga projekti “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që implementohet nga Swisscontact.
Gjatë kësaj ceremonie, zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi, ka vlerësuar se ky proces i certifikimit të këtyre kompanive përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta për zhvillimin dhe avancimin e sektorit të bujqësisë organike. Ai ka treguar se MBPZHR-ja, përmes pagesave direkte prej 500 euro për hektarë mbështet sipërfaqet e kultivuara me produkte organike.
“Objektivi strategjik i MBPZHR-së është garantimi i rritjes së sasisë dhe cilësisë së prodhimit organik. Kjo jo vetëm për faktin e gjenerimit të efiçiences, por edhe garantimit të rritjes së cilësisë së jetesës për konsumatorët. Nga ana tjetër prodhimi organik konsiderohet si avantazh i rritjes së mundësisë së eksportit në rajon dhe në vendet e BE-së, duke mundësuar kështu rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve kosovare, si dhe ndikimin në reduktimin e importit dhe rritjen e eksportit”, ka thënë zëvendësministri Krasniqi, duke shtuar se këtë sektor këtë vit po e mbështesin bashkërisht me USAID-in, përmes projektit “Për mbështetjen e programit të zhvillimit bujqësor dhe mundësitë rurale në Kosovë, në veçanti Zinxhirin e Vlerave të pemëve të imëta dhe zinxhirin e vlerave të bimëve mjekësore dhe aromatike.
Ndryshe, sipas statistikave në vitin 2017 në gjithë territorin e Kosovës kanë qenë 170 hektarë të kultivuara me bimë mjekësore aromatike, si dhe mbi 373,000 hektarë zona të certifikuara për grumbullimin e bimëve mjekësore dhe aromatike dhe frutave të egra. Ndërkaq, nga sot llogaritet se janë mbi 40 kompani dhe qendra të certifikuara, si dhe mbi 3200 grumbullues në vend janë duke siguruar të ardhurat nga mbledhja e bimëve mjekësore aromatike, si dhe fruta të egra dhe kërpudha. Llogaritet se eksporti i këtyre produkteve bëhet gjysmë i përpunuar, ku 95 për qind e gjithë prodhimit të këtij sektori shkon për eksport, në Gjermani, Austri, Zvicër, etj.