Çfarë do të ndodh me të ardhmen e Messit – larg PSG-së dhe Barcelonës, spikasin dy opsione të reja

20:32 | 17 February 2023

L’Equipe ka njoftuar dy ditë më parë, se Lionel Messi nuk do të rinovojë kontratën me PSG-në.

Babai i tij, Jorge, ka pasur takimin e parë me përfaqësuesit e PSG-së, por ai nuk ka mbyllur asnjë marrëveshje. Negociatat do të vazhdojnë, por për momentin ka më shumë gjasa që argjentinasi të mos qëndrojë.

Në PSG kishte optimizëm për qëndrimin e Messit, por në ditët e fundit ai është ulur papritur. Ka gjithnjë e më pak shanse që Messi të qëndrojë dhe njerëzit në PSG mendojnë se në këtë mënyrë ai thjesht po blen kohë për negociata me Inter Miamin apo ndonjë klub tjetër nga MLS, sipas L’Equipe, përcjell telegrafi.

Ky informacion më pas është konfirmuar nga media të shumta spanjolle dhe franceze.

Asgjë nga Barcelona

Jorge Messi shkoi në Barcelonë pas takimit me PSG-në, të cilin shumë media e interpretuan si përgatitje të terrenit për rikthimin e Messit në Camp Nou. Mundo Deportivo shkruan se Jorge Messi është shpesh në Barcelonë sepse djali i tij i dytë Rodrigo jeton atje dhe se ai herë pas here kontrollon shtëpinë e familjes së Messit në atë qytet.

Babai i Messit pastaj foli dhe konfirmoi në një deklaratë për Marca se nuk do të ketë më kthim në Barcelonë.

“Kushtet për rikthimin e Leos në Barcelonë nuk janë plotësuar, kështu që nuk do të ndodhë”, ishte deklarata që u përhap dje në media dhe zhgënjeu shumë tifozë të Barcelonës.

Në një skenar ideal, ëndrra e shumicës së tifozëve ndoshta do të ishte që Messi të tërhiqej me fanellën e Barcelonës. Tani është e qartë se kjo nuk ka gjasa.

Ka dy opsione

Pra, PSG dhe Messi nuk mund të arrijnë marrëveshje dhe është e sigurt që nga vera nuk do të jetë lojtar i atij klubi dhe sipas të gjitha llogaritjeve nuk do të kthehet as te gjiganti katalanas.

Çfarë i mbetet atëherë? Ka dy skenarë të tjerë që mediat spanjolle besojnë se janë të mundshme.

Bëhet fjalë për Inter Miamib, pronar i të cilit është legjendari David Beckham, por edhe për Al-Hilal, një klub saudit që do të donte të sillte Messin për hir të rivalitetit me Al Nassr dhe Cristiano Ronaldon.

Ata synojnë t’i ofrojnë Messit një kontratë prej 300 milionë euro në vit, deri tani më e madhja në historinë e futbollit.

Argjentinasi i ka refuzuar tashmë një herë, por Mundo Deportivo shkruan sot se “askush nuk duhet të habitet nëse Messi pranon ofertën e sauditëve në verë”.

Për momentin nuk ka asgjë për të parashikuar se çfarë do të vendosë Messi, por koha po kalon në mënyrë të pashmangshme kështu që është e qartë se përgjigjen për këtë pyetje do ta marrim më së voni pas disa muajsh.

Komento: