Dje është festuar 11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, por kjo festë nuk i gjeti liderët e vendit me raportet më të mira të mundshme.
Fati i kësaj legjislature po vazhdon të varet nga taksa prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake që ka ndarë në dy taborë dikur liderët që mes veti po krijonin paqartësi se kush mund ta kishte dhënë idenë i pari. Derisa në Kosovë po qëndronin pak miq për këtë 17 shkurt, ata të cilët vizituan panë qëndrimet e kundërta që nuk lanë pa u përmendur edhe në seancën solemne të përvjetorit. Analistët Astrit Gashi dhe Imer Mushkolaj kanë komentuar për Express këto zhvillime në koalicionin qeverisës.
Foltorja e Kuvendit të Kosovës, në ditën e shënimit të 11’vjetorit të shtetësisë, u shfrytëzua mirë nga liderët për të përçuar mesazhe lidhur me atë që momentalisht është duke i çuar edhe drejt përçarjes koalicionin PANA – taksa prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.
I pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj e krye parlamentari, Kadri Veseli treguan edhe një herë para opinionit se mbajnë qëndrime të kundërta për këtë temë, e nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja për këtë masë, që do të mund të parandalonte shpërbërjen e koalicionit qeverisës.
Haradinaj pasi që foli për konsolidim të shtetit e marrëdhënie të mira me fqinjët, shtoi edhe se Kosova ka interesim për marrëveshjen me Serbinë por duke bërë të qartë se njohja me shtetin serb, ‘do të bëhet vetëm në kufijtë ekzistues’.
Pak më shumë se i pari i Qeverisë, foli krye parlamentari Veseli, që kërkoi edhe një herë që taksa prej 100 për qind të pezullohet në mënyrë që interesi i SHBA’së të mos preket.
I pari i PDK’së, megjithatë u shpreh se Qeveria nuk do të rrëzohet për shkak të taksës.
“Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrimi im i vendosur. Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Evropian”, deklaroi ai.
Partnerit të tij, ia dërgoi edhe një porosi, që t’i lë inatet personale, të mos ta personalizojë vendimmarrjen dhe kalkulimet elektorale.
Pak pasi që Veseli përfundoi fjalimin e tij, Haradinaj u kap nga kamerat, i nërvozuar e duke thënë, “Ma qenef mashkull në jetë…”, që aludoi se mund të jetë për Veselin.
As Veseli e as Haradinaj nuk po lëkunden nga qëndrimet e tyre, njëri për pezullim, e njëri që masa të mos preket, megjithëse dikur, nga AAK e PDK, replikonin mes vete duke garuar se kush i pari kishte dhënë idenë e taksës.
Analisti Astrit Gashi po thotë se nuk është dashur që në ditë të pavarësisë të dërgoheshin mesazhe për politike ditore, duke e konsideruar fjalimin e Veselit të gabuar.
“Kadri Veseli në seancën solemne të 11 vjetorit të pavarësisë është dashur të dërgoje mesazhe të unitetit të kombit dhe jo të bëjë politikë ditore, të bëjë atë që zakonisht bëjnë liderët në kohë festash kombëtare edhe atë madje edhe në momente shumë të vështira për kombin dhe jo të bëjë politikë ditore e partiake. Në ditën e pavarësisë liderët duhet të flasin si të bëjnë bashkë kombin për të tejkaluar sfidat dhe jo të përçojnë mesazhe politike të ndarjes dhe izolimit sikur bëri Veseli, por jo vetëm ai”, u deklarua Gashi.
Duke folur për sharjen e Haradinajt, ai reagim nga analisti Gashi u quajt i ulët.
“Ende nuk e kam të qartë se ndaj kujt ishte ai reagim i ulët i Haradinajt. Nuk e dimë nëse ishte ndaj fjalimit të Veselit. Ndonëse disa herë kemi parë shpërthime të tilla të momentit nga Haradinaj dhe nuk i përjashtoj as në këtë rast, nga ajo që dimë është se deri sot nuk ka pas tensione në mes të Veselit e Haradinajt. Në fakt këta të dy kanë kaluar bashkë shumë më mirë se që e kanë pritur ata se pari dhe pastaj edhe të gjithë ne të tjerët”, përfundoi ai.
Edhe analisti Imer Mushkolaj po thotë se marrëdhëniet mes Veselit dhe Haradinajt nuk janë aspak të mira.
Mushkolaj deklaroi se Haradinaj ka vënë partnerin e tij të koalicionit në situatë të vështirë.
“Marrëdhëniet mes z. Veseli dhe Haradinaj nuk janë aspak të mira. Kur them mes PDK-së edhe AAK e kam në mend edhe atë të presidentit sepse marrëdhëniet mes PDK-së dhe presidentit janë ende shumë të forta dhe të ndikueshme. Haradinaj duket se e ka vënë partnerin e koalicionit në një situatë të vështirë. Mos te harrojmë që për vendosjen e taksës të gjithë kanë fitu kapak politikisht madje PDK ia lanë vetës meritat. Dhe qëndrimet që i japin tash nuk janë qëndrime të koalicionit por janë qëndrime të partive veç e veç që janë në pushtet”, deklaroi ai.
Tutje, ai shtoi se shkuarja në zgjedhje, nëse taksa nuk hiqet do t’i kushtojë më së shumti PDK’së.
“Nëse shkohet në zgjedhje shkohet pa u hequr taksa duhet procedura për qeverinë teknike, por po them vetëm nëse Haradinaj jep dorëheqje do të na qonte në zgjedhje të shpejta”, përfundoi Mushkolaj. Pavarësisht se ende nuk dihet cili do të jetë vendimi për masën ndaj produkteve serbe e boshnjake, partnerët e koalicionit me gjithë dallimet në deklarata po vazhdojnë të deklarohen publikisht se kanë marrëdhënie të mira.