Çfarë moti na pret në natën e Vitit të Ri

14:24 | 26 December 2021

Ky është parashikimi i motit në Kosovë për natën e Vitit të Ri

Vransira dhe reshje shiu kohëpaskohe ditëve të fundit të vitit 2021. Në vise të ulëta edhe mjegull. Temperaturat mbi vlera mesatare.

26.12.2021 – Depërtimet e cikloneve përgjatë rajonit tonë në këto ditë të fundit të vitit 2021, do të mundësojnë mot kryesisht me vransira, e me të reshura shiu kohëpaskohe, kryesisht ditën e hënë, mërkurë dhe të enjte. Ditën e hënë orëve të mëngjesit reshjet do të jenë më intenzive nga perëndimi i vendit, derisa mundësi për reshje bore paraqiten vetëm në vise të larta malore. Orëve të mëngjesit përgjatë ultësirave paraqiten kushte edhe për mjegull apo vransira të ulëta.

Në aspektin termik, rrymat e ngrohta ajrore që po depërtojnë mbi rajon mbajnë temperaturat e larta mbi vlera mesatare. Në natën e vitit të Ri do të mbajë mot i qëndrueshëm, me vransira e aty këtu me mundësi për riga lokale shiu. Në fundjavë paraqitet mot i butë, me kthjellime e vransira kalimtare.

Megjithëse ditëve vijuese parashihet mot pak më dinamik, periudhat e qetësisë do të jenë më dominante, me ç’rast ndotësit ajror mbeten më të përqëndruar pranë sipërfaqes, e indeksi i cilësisë së ajrit do të jetë kryesisht në vlera të dobëta por edhe shumë të dobëta. Vetëm në pjesët ku mund të ketë qarkullim më të mirë ajror ditën indeksi mund të kaloj edhe në vlera të pranueshme.

27.12 – Kryesisht vranët, e kohëpaskohe me reshje shiu. Orëve të mëngjesit reshje më intenzive shiu priten në perëndim të vendit. Në vise të larta malore edhe borë.
28.12 – Kryesisht me vransira. Në vise të ulëta mjegull ose vransira të ulëta.
29.12 – Kryesisht me vransira. Pasdite dhe në mbrëmje priten reshje të dobëta shiu.
30.12 – Kryesisht me vransira. Në mëngjes përgjatë viseve të ulëta mundësi për mjegull. Pasdite reshje të dobëta shiu.
31.12 – Në mëngjes ngrica. Ditën vransira e diell dhe më butë.

Temperaturat mbi vlera mesatare. Minimalet luhaten nga 3C deri 5C, e të premten në mëngjes edhe mund të zbresin në -2C, ndërsa maksimalet luhaten ndërmjet 8C e 10C, e të premten ditën rriten edhe deri në 12C..

Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare drejtimesh të ndryshme 1-7m/s. Shtypja atmosferike do të luhatet përreth vlerave normale, me tendencë të rritjes nga dita e premte.

Komento: