“S’kemi pasur kohë…”, çfarë po ndodh me aplikiacionin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Republika Çeke përfundon udhëheqjen të Bashkimin Europian në fund të këtij viti. Krahas luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor ishte në krye të agjendës. Udhëheqësit e BE-së ranë dakord për dhënien e statusit të kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, liberalizimin e vizave Kosovës dhe hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Martin Košatka, në një intervistë për portalin ‘European Western Balkans’ u pyet edhe lidhur me deklaratën e kryediplomatit serb, Ivica Daçiq i cili ka thënë se Presidenca Çeke nuk do të merret me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, përcjell Gazeta Express.
“Duke pasur parasysh datën kur Kosova vendosi të dorëzojë aplikacionin (15 dhjetor), nuk kemi pasur kohë të bëjmë më shumë se sa t’i informojmë ambasadorët e COREPER-it të shteteve anëtare të BE-së se Kosova e ka dorëzuar aplikacionin. Presidencës së ardhshme suedeze do t’i takojë të fillojë konsultimet me shtetet anëtare”, tha Košatka.
Ai përmendi samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur për herë të parë në këtë rajon, në Tiranë. Ai tha se aty BE-ja jo vetëm që ka rikonfirmuar angazhimin për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por tha se “kemi bërë thirrje edhe për përshpejtimin e procesit të zgjerimit”.
“Për më tepër, Kosova ka paraqitur kërkesë për anëtarësim në BE”, ka theksuar ai.
Vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, ai e ka renditur të dytën në sukseset e Presidencës Çeke lidhur me Ballkanin Perëndimor.
Suedia, vendi i ardhshëm që do të udhëheq me BE-në, përcaktoi katër qëllime – ruajtjen e unitetit europian dhe forcimin e sigurisë, tranzicionin e gjelbër dhe politikën energjetike, forcimin e konkurrencës evropiane dhe ruajtjen dhe rëndësinë e vlerave evropiane, demokracinë dhe sundimin e ligjit.