Çfarë roli dyshohet se kishte ish-banorja e BBVA-së në skemën e investimeve?

17:01 | 24 Tetor 2026

Ariana Plakici, ish-banore e “Big Brother VIP Albania”, është në mesin e nëntë personave për të cilët Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar paraburgim, nën dyshimet për mashtrim dhe mashtrim kompjuterik përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë.

Këngëtarja Ariana Plakici, është e njohur për pjesëmarrjen e saj në edicionin e dytë të Big Brother VIP Albania.

Në dosjen të cilën e ka siguruar Insajderi, thuhet se Plakici dyshohet se ka qenë e angazhuar në aktivitetet e këtyre qendrave, ku persona të huaj kontaktoheshin dhe nxiteshin të investonin në platforma financiare dhe kriptovaluta.

Ajo ishte e angazhuar në thirrje.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë qenë të përfshirë, në role të ndryshme, në një veprimtari që synonte bindjen e shtetasve të huaj për të investuar para në platforma financiare dhe kriptovaluta, të cilat u prezantoheshin si mundësi të ligjshme dhe fitimprurëse.

Toni Salihu, Durim Morina, Diamant Hasani, Rea Hashani, Përparim Reka, Ariana Plakici, Faik Zuka, Dorent Hajredini dhe Bidaim Emini janë të arrestuarit për të cilët Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, nën dyshimet për mashtrim dhe mashtrim kompjuterik përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë.

Bonuse për agjentët që bindnin klientët të investonin

Sipas dokumentit, viktimat nxiteshin të investonin fillimisht shuma rreth 250 euro, ndërsa më pas u kërkoheshin shuma më të mëdha. Pas realizimit të investimeve, paratë dyshohet se transferoheshin në llogari të tjera, duke ua pamundësuar personave të dëmtuar kontrollin dhe disponimin mbi mjetet e tyre financiare.

Një tjetër detaj i përmendur në kërkesën për paraburgim lidhet me shpërblimet për personat e angazhuar në qendrat e thirrjeve.

Sipas Prokurorisë, në mesazhet e gjetura në platformat e përdorura është evidentuar një komunikim ku thuhet se nga 29 shtatori deri më 30 dhjetor do të jepej bonus prej 2 mijë eurosh për agjentët me më shumë “FTD”, shkruan Insajderi.

Prokuroria e interpreton këtë komunikim si tregues se personat e angazhuar mund të kenë marrë bonuse për arritjen e objektivave që lidhen me nxitjen e klientëve për të investuar.

Në pajisjet elektronike janë identifikuar gjithashtu komunikime përmes Microsoft Teams, ku dyshohet se personat e përfshirë kanë diskutuar për klientët, realizimin e telefonatave, ndarjen e detyrave dhe vazhdimin e kontakteve.

Dyshime për dokumente me nënshkrime të falsifikuara

Prokuroria thotë se në dokumentet elektronike janë gjetur të dhëna që dyshohet se lidhen me përgatitjen e nënshkrimeve të falsifikuara dhe vendosjen e tyre në dokumente PDF, të cilat u janë dërguar personave të kontaktuar për t’u krijuar besueshmëri investimeve të pretenduara.

Përveç mashtrimit, të nëntë personat dyshohen edhe për mashtrim kompjuterik. Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e tyre, duke argumentuar se hetimet janë në fazë fillestare dhe se ende duhet të analizohen pajisjet elektronike, komunikimet dhe transaksionet financiare, si dhe të intervistohen personat e dëmtuar përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Prova të gjetura gjatë kontrolleve

Në kërkesën për paraburgim përmenden 18 kompjuterë të gjetur në një lokacion në rrugën “Ali Aliu Kelmendi”, si dhe 15 kompjuterë e 14 telefona në një lokacion në rrugën “Dervish Hima”. Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe pajisje të tjera elektronike.

Prokuroria thotë se në pajisjet e kontrolluara janë identifikuar të dhëna personale të shtetasve të huaj, komunikime për investime, sisteme telefonie përmes internetit dhe programe për qasje në distancë.

Në dokument përmenden edhe të dhëna për depozita prej 20 mijë deri në 30 mijë euro në njërin prej lokacioneve, si dhe komunikime që, sipas Prokurorisë, tregojnë për përfitime të dyshuara prej 30 mijë deri në 40 mijë euro nga një person i dëmtuaR.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit në prova dhe dëshmitarë, si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Sipas Prokurorisë, hetimet janë ende në fazë fillestare dhe duhet të vazhdojnë ekzaminimi i pajisjeve elektronike, analiza e komunikimeve dhe transaksioneve financiare, si dhe marrja në pyetje e personave të dëmtuar përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Në kërkesë thuhet gjithashtu se gjatë ekzekutimit të urdhërkontrollit, Durim Morina dhe Rea Hashani dyshohet se kanë rezistuar ndaj hyrjes së hetuesve në një lokacion dhe kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Për këtë ngjarje, sipas Prokurorisë, do të zhvillohet procedurë e veçantë.

Të dyshuarit ngarkohen me dyshimet për veprat penale të mashtrimit dhe mashtrimit kompjuterik.

Komento: