Çfarë thonë deputetët e pozitës për nënshkrimet e rrëzimit të qeverisë

18:12 | 22 May 2019

Opozita e vendit vazhdon ta ketë temë diskutimi mocionin për rrëzimin e Qeverisë aktuale të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë intensifikuar veprimet rreth organizimit të një mocioni për rrëzimin e Qeverisë. Këtë nismë të tyre e përkrahë edhe PSD-ja e Shpend Ahmetit, ani pse Isa Mustafa e Albin Kurti nuk e thërrasin atë në takimet e tyre koordinuese.

Një nismë e tillë duket vështirë e realizueshme pa votat e Listës Serbe, apo pa votat e disa prej deputetëve të koalicionit PDK-AAK-NISMA, sepse e gjithë opozita së bashku ka vetëm 58 vota, duke përllogaritur këtu edhe deputeten Teuta Rugova dhe Ramiz Kelmendin. Por për të kaluar mocioni për rrëzimin e Qeverisë duhen 61 vota.

Megjithatë në pozitë ka zëra të cilët janë të gatshëm të japin votën e tyre për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka ka thënë që opozita mund të llogarisë në votën e tij për rrëzimin e Haradinajt nga pushteti, por vetëm pas muajit shtator.

Pasi sipas tij, nuk do të ishte mirë që të shkohej në zgjedhje të reja pa përfunduar raporti hetimor për dallaveret në Post Telekomin e Kosovës, dallavere në të cilat Zeka thotë se janë të përfshirë shumë politikanë kosovarë.

“Prej shtatorit e andej opozita mundet me llogaritë në votën time, për rrëzimin e Qeverisë, deri në shtator jo. Sepse nuk ka punë më prioritare për të gjithë deputetët, pozitën e opozitën, sesa përfundimi i raportit final për hetimin e Post Telekomit të Kosovës. Do të ishin të pakuptimta zgjedhjet e reja, nëse ne nuk e dokumentojmë se cilët politikanë janë të zhytur deri në fyt në korrupsionin e PTK-së, përndryshe nesër kisha votuar për rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë deputeti Zeka.

Sipas tij qeverisja e koalicionit PAN në krye me Ramush Haradinaj, është një prej zhgënjimeve më të mëdha.

Mirëpo ndryshe nga Zeka, këtë nismë të opozitës për rrëzim të Qeverisë po e sheh më një sy tjetër deputeti Zafir Berisha, i cili dikur me vetë dëshirë i ofronte opozitës votën e tij për ta rrëzuar Haradinajn.

Sipas tij për të rrëzuar Hardinajn nga pushteti duhen arsye të forta, dhe nuk mund të bëhet një gjë e tillë se pa e pasur një plan se si do të veprohet më pas.

“Nisma është joserioze, që ma kujton një fjalë popullore “kur nuk ki punë luaje derën”. Pra thjeshtë në kuadër të politikës ditore që bëjnë, në mungesë të vizionit për të bë opozitarizëm. Për me rrezua një qeveri duhet me pas arsye të forta, dhe me pas ofertë se çka pas rrezikimit… qeverisjen e LDK’së dhe Isa Mustafës e kemi të freskët në memorie dhe natyrisht për me mbështet Albinin dhe VV duhet me u sqarua ‘Is Is argat i Serbisë’, a ka qenë mualife kjo apo e vërtet… ne nuk mund të futemi në agjenda të atyre që as vet se kanë idenë çka po donë, duan me e rrëzuar qeverinë, a e kanë veç me u bë lajm në media”, ka thënë Berisha

E vota për rrëzimin e Qeverisë nuk ka as në PDK. Kështu ka thënë shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Memli Krasniqi.

Sipas tij PDK’ja është e përkushtuar që kjo qeveri të përmbush mandatin deri në fund.

“Refreni i opozitës për mocion nuk është i ri. Ka gati një vit që ata çdo javë flasin për këtë dhe se ndërmarrin asnjë veprim, edhe pse kanë mundësi ligjore për një gjë të tillë. Rrjedhimisht, nuk janë të gatshëm për zgjedhje, por për ta zhvendosë vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme, po flasin për temën e njëjtë që gati një vit. PDK është udhëheqëse e koalicionit qeverisës, dhe qëndrimi ynë është i qartë në funksion të vazhdimit të mandatit deri në fund”, është shprehur Krasniqi.

Aktivizimi i opozitës në drejtim të rrëzimit të qeverisë Haradinaj, ka ardhur pas një takimi që kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka pasur me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Ambasadori amerikan vazhdimisht ka qenë një zë i fortë kritik ndaj qeverisë së koalicionit PAN.

Gjatë një fjalimi në FOL, ai kishte thënë se qytetarët kanë mjete të shumta në demokraci për të sfiduar veprimet e qeverisë për të cilat konsiderojnë që janë të padrejta.

“Ka shumë mjete në demokraci, të cilat qytetarët i kanë në dispozicion për t’i sfiduar vendimet e qeverisë, të cilat i konsiderojnë të padrejta. Andaj, është me rëndësi që shoqëria civile dhe mediat të luajnë rolin e tyre”, ka thënë Kosnett gjatë muajit prill.

Por Ramush Haradinaj, vazhdimisht është shprehur i gatshëm për të shkuar në zgjedhje të reja, duke thënë se nuk ka frikë nga diçka e tillë.

Një shtytës që mund të detyrojë partitë në pushtet të qojnë deri në fund mandatin, janë sondazhet e fundit të publikuara, të cilat e nxjerrin PDK’në si parti të tretë. Ky sondazh i realizuar nga Instituti Slloven “International Institute For Middle And Balkan Studies”, ka nxjerrë LDK-në si parti të parë më 28.3 %, Lëvizjen Vetëvendosje të dytën më 23.1 %, ndërsa PDK-ja pas më 22.9 %.

Ndërkohë AAK-ja e Ramush Haradinajt thuhet se ka shënuar një rritje të lehtë më 10.1 %, Nisma e Limajt më 5.1 %, ndërsa AKR dhe PSD parashihet të mos e kalojnë fare pragun nëse në zgjedhje shkojnë si të vetme.

Komento: